Gjatë periudhës janar-korrik 2026, Porti i Durrësit ka përpunuar 2,4 milionë tonë mallra, duke regjistruar një rritje prej 6.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë ecuri, peshën kryesore e ka rritja e transportit me kontejnerë, ku volumi i përgjithshëm i mallrave në njësi TEU është rritur me rreth 28%.
Gjatë shtatë muajve të parë të vitit, në portin e Durrësit janë përpunuar 744,782 tonë mallra për eksport, ose rreth 39% më shumë krahasuar me periudhën janar-korrik 2025.
Ndërkohë, përsa i përket importit janë përpunuar 1,7 milionë tonë mallra, me një rënie të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Transporti me kontejnerë vijon të jetë segmenti me ritmin më të lartë të rritjes.
Gjatë 7 muajve të parë të këtij viti janë përpunuar 1,5 milionë tonë mallra në kontejnerë, nga të cilat importet janë rritur me 14%, ndërsa eksportet me 68%, duke dëshmuar një përdorim gjithnjë e më të madh të transportit me konteinerë për mallrat që dalin nga vendi.
E njëjta tendencë reflektohet edhe në numrin e njësive të transportit. Në shtatëmujor janë përpunuar 157,062 TEU, ose 28,849 TEU më shumë se në 7 mujorin e vitit të kaluar.
Vetëm gjatë muajit korrik janë përpunuar 24,133 TEU.
M.B.





