Xhama të thyer, llampa të munguara, priza me telat e korentit jashtë, tualete në gjendje të degraduar. Ky është në mënyrë të përmbledhur, realiteti që përcillet nga fotot e publikuara nga theport.al.

Realiteti i shëmtuar vjen nga shkolla e mesme e përgjithshme “Naim Frashëri”, në Durrës, një nga gjimnazet më të mira të qytetit bregdetar, që ndër vite ka nxjerrë breza e breza të tërë të rinjsh të përgatitur.

“Disa klasa siç shihni dhe në fotot e shkrepura së fundmi më datë 31 Janar 2019, nuk kanë dritare, xhamat janë të thyera ose kanë vrima dhe krisje. Përveç kësaj, ndriçimi i klasave bëhet nga 1 ose 2 llampa për klasë duke e bërë të pamjaftueshme ndriçimin e ambjentit. Po të ndodheni tek klasat me një ndricues kur koha është e vranët, do keni ndjesinë si kur jeni në një shkollë në Siri. Kjo nuk është hiperbolizim kur shikon xhama të thyera, kabuj me korent të ekspozuar, klasa pa drita, tabela dhe tavolina te amortizuara, dhe nxënësit që ngrohen me frymën e tyre.  Këto nuk janë akuza, janë fakte që kushdo mund t’i vërtetojë duke vizituar shkollën”,-shkruan theport.al.

Të zhvillosh orët e mësimit në një klasë pa ngrohje, për më tepër me xhama të thyer (të cilët edhe kur vendosen të rinj, paguhen nga vetë nxënësit) në këto ditë dimri është një realitet skandaloz me të cilin përballen shumë nga nxënësit e këtij gjimnazi. Si mund të jesh i përqendruar tek shpjegimi i mësuesit, kur qëndron në klasë me kapuç në kokë apo dridhesh nga të ftohtët. Sipas disa nxënësve, prej disa muajsh ata janë të detyruar të zhvillojnë mësimin në këto kushte, pasi xhamat e thyer nuk janë zëvendësuar.

Gjendja skandaloze e shumë klasave të këtij gjimnazi nuk është një realitet i veçuar, por një panoramë e shumë prej shkollave të qytetit bregdetar. Investimi në arsim është një investim për të ardhmen e qytetit dhe vendit. Kur realiteti është ky që është, fjalët janë të tepërta.