Disa copëza ulësesh avioni në një plazh të Normandisë. Kërkimet për Emiliano Salan vijojnë, edhe pse privatisht, që prej natës së 21 janarit, por ende asnjë gjurmë e argjentinasit, që mendohet të ketë humbur jetën në një aksident ajror.
Fluturimi në fjalë është mister më vete, sepse prenotimi për nisjen është bërë me celular nga një aplikacion i thjeshtë, teksa piloti ka zënë dy orare (9:00 dhe 20:-00). Avioni që duhet të çonte nga Nanta në Kardif, Salan, ishte një prodhim i vitit 1984 dhe vlente disa mijëra euro.
Asgjë krahasuar me jetën e një të riu, që po fluturonte për të realizuar ëndrrën e një jete. Ishte shitur për 17 milionë euro, por jeta iu ndërpre nga ai mjet fluturues që, sipas një mesazhi të dërguar nga vetë Sala, ishte “copë-copë”. Duke qëndruar tek avioni, ai ishte regjistruar në SHBA, e teksa pronari nuk është zbuluar ende, pilotët, të paktën ata, dihet se kush janë.
MISTERE – Emiliano Sala kishte shkuar në Nantë për të përshëndetur ish-skuadrën dhe duke mos dashur të përdor avion linje sepse do të ndalonte në Amsterdam, preferoi avionin privat që do t’i merrte jetën. 28-vjeçari në fillim kishte refuzuar për shkak të kostos, por menaxheri Uilli Mekai i ka thënë që është një dhuratë për ta motivuar të shënojë sa më shumë në klubin e ri.
Mjeti duhej të drejtohej nga pilotët Dejv Henderson dhe David Ibotson, por në protokoll vetëm i dyti ka marrë pjesë, teksa i pari ka mohuar gjithçka, duke shtuar se nuk shkel në Nantë prej një viti. Duke qëndruar te piloti i asaj nate, ai ishte 59 vjeç, punonte si DJ dhe riparues kaldajash, teksa si pilot nuk kishte licencë për të transportuar pasagjerë.Ibotoson kishte zgjedhur të pilotonte me shikim dhe jo me pilot automatik, çka shihet si një nga shkaqet kryesore që ai ka kërkuar të udhëtojë në 2800 metra lartësi, ndryshe nga 5000 të parashikuarat. Teksa vetë piloti Ibotoson ka pranuar në një status në “Facebook” se nuk ndihet në formë, trajneri i Kardifit, Nil Uornok, ka thënë se me të njëjtin pilot ka udhëtuar shpeshherë ai dhe disa lojtarë të skuadrës që kanë lëvizur nëpër Europë.
KONTRATA – Teksa Sala humbte jetën, mes Nantës dhe Kardifit kanë nisur mosmarrëveshjet e para. Francezët kanë çdo dokument të nevojshëm për të pretenduar pagesën, teksa pronari i Kardifit pret që shuma e transferimit (17 milionë euro) të paguhet nga siguracioni që klubet paguajnë për investimet pasi faji të bjerë mbi pilotët si shkaktarë të tragjedisë.Megjithëse ende nuk ka ndodhur ky hap, edhe familja Sala ka mundësi të kërkojë një dëmshpërblim të majmë moral dhe ekonomik. “Në valle janë shumë miliona”, saktëson avokatja Aleksandra Kohen nga studio pariziene “August Debouzy”.





