Ditën e sotme tre prokurorë kanë aplikuar për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mësohet se, sot ka aplikuar Arben Kraja, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme. Ai ka hetuar Lulzim Bashën për aferat në ‘Rugën e Kombit’.

Ndërkohë që kandidatura tjetër është Vladimir Mara, prokuror i Krimeve të Rënda. Gjithashtu, për SPAK ka aplikuar edhe prokurori tjetër i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi.

Më herët për të qenë pjesë e strukturave të SPAK kanë aplikuar Doloreza Musabelliu, Eugen Beci, Anton Martini, Besnik Muçi dhe Klodian Braho.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të ketë si objektiv korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar.

Prokuroria e Posaçme i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.