Disa pedagogë në Universitetit të Tiranës kanë takuar këtë të premte ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.
Përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Mark Marku, tha për mediat pas takimit se e konsideronte jorezultativ diskutimin. Ai tha se pedagogët do të prisnin deri në darkë për një përgjigje konkrete nga ana e ministres Shahini.
“Diskutuam për gjendjen në universitet dhe u qëndruam kërkesave që kemi bërë. Praktikisht nuk pati një qëndrim konkret nga ana e ministres së Arsimit, nuk u shpreh të paktën gjatë takimit për asnjërën nga kërkesat. Në terma të përgjithshëm tentoi ta çojë diskutimin drejt një diskutimi jorezultativ. Kështu që ne e konsiderojmë këtë si një mospërgjigje ndaj kërkesave, presim deri në darkë nëse ajo do ketë një përgjigje konkrete dhe pastaj do të mbledhim takimin e asambleve, asamblenë dhe do të marrim një qëndrim për këtë mosreagim të ministres ndaj kërkesave tona. Me pak fjalë ishte një takim: Ne qamë hallet… por pa marrë përgjigje konkrete”, tha pedagogu Mark Marku.
Kërkesat e pedagogëve:
1- Mbështetje për kërkesat e studentëve.
2- Kundërshtim për ligjin e arsimit të lartë dhe fillimin e procesit legjislativ për hartimin e ligjit të ri.
3- Rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik dhe garantimin real të autonomisë financiere.
4-Ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese dhe miratimin e statusit të pedagogëve.





