Zbulohen detaje të reja nga vrasja e Arben Bilalit, ish-efektiv policie në Selitë. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 14:35 dhe 50-vjeçari ndërroi jetë në spital.
“BalkanWeb” raporton se Arben Bilali është qëlluar me një armë zjarri automatike me silenciator nga një distancë rreth 5 metra.
Po kështu është zbardhur dhe itinerari dhe lëvizjet e tij pak orë pas ngjarjes. Sipas burimeve, 50-vjeçari ishte larguar nga banesa disa orë para ngjarjes dhe ishte pasagjer në një mjet tip “Golf 4”.
Por me sa duket i gjithë udhëtimi i tij ka qenë i monitoruar. Kjo pasi 2 atentatorët që lëviznin me një “Benz” të zi e gjurmuan që prej “Vasil Shantos”.
Atentatorët e kanë ndjekur 50-vjeçarin deri te rruga “Daniel Ndreka”. Sapo Bilali zbriti nga makina pranë banesës u qëllua me breshëri. Mjeti “Golf 4” dhe makina e atentatorëve u larguan nga vendi i ngjarjes. Ndaj policia ka shoqëruar sot drejtuesin e mjetit që solli Bilalin pranë banesës ku edhe u vra.





