Në materialin investigative të publikuar mbrëmjen e sotme nga Zëri i Amerikës një vend të veçantë zënë përgjimet e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako dhe kreut të bandës së Shijakut, Astrit Avdylaj. Por në materialin e VOA-s, përveç denoncimit të përfshirjes së krimit të organizuar në shit-blerjen e votave në qarkun e Durrësit flitet edhe për një numër zyrtarësh të lartë në Durrës që janë kapur në përgjime me vëllezërit Avdyli në fillim të vitit 2018, ku këta të fundit i kërkonin favore.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar vazhdimin e hetimeve për përfshirjen e dyshuar të Avdylajve në zgjedhje apo në korrupsion me sektorë të ndryshëm të administratës. Ndërsa dy prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi refuzuan të komentonin mbi ecurinë e hetimeve.

Përgjimet e siguruara nga BIRN tregojnë se Dako ishte zyrtari më i lartë, por jo i vetmi që kultivoi raporte të ndërsjellta me vëllezërit Avdyli.

Një numër zyrtarësh lokalë në institucione kyçe si inspektorë të INUK, drejtues në bashki, punonjës të Sigurisë Portuale apo madje edhe të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës janë përgjuar gjatë komunikimeve me vëllezërit Avdyli në fillim të vitit 2018, ndërkohë që këta të fundit kërkonin favore të llojeve të ndryshme”,– shkruan ndër të tjera VOA.