Nga sot, në burgjet shqiptare do të aplikohet regjimi i posaçëm i izolimit ’41-bis’, në kuadër të masave për goditjen e veprimit dhe të depërtimit të krimit në burgje.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi se këtij regjimi do t’i nënshtrohen 270 të dënuar apo që janë në proces gjykimi, pasi dyshohet se vijojnë kontaktet me botën e krimit jashtë. Gjatë një konference ku merrte pjesë edhe prokurori i Antimafias italiane, ministrja e Drejtësisë tha se janë marrë masa për rritjen e sigurisë në burgje dhe se prokurori De Raho sjell në vendin tonë eksperiencën italiane.

Ky takim përkon me hyrjen e ndryshimeve të ligjit, ‘Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve’, ose të regjimit të posaçëm të sigurisë së lartë, i ashtuquajturi nga të gjithë neni ’41-bis’, pasi origjina e tij është pikërisht modeli italian ’41 bis'”, u shpreh dje Gjonaj.

REGJIMI “BIS-41”

Regjimi i burgjeve, i quajtur “41-bis”, u aplikua për herë të parë në Itali në vitin 1992, si një nevojë dhe domosdoshmëri për të ndaluar komunikimin e të burgosurve të rrezikshëm me njerëz të jashtëm, për të mos vijuar drejtimin e organizatave mafioze. Kjo masë u prezantua në vitin 1992, kohë kur humbën jetën Giavoni Falcone dhe Paolo Boerselino, si mburojë specifike për anëtarët e grupit mafioz Cosa Nostra dhe grupe të tjera të ngjashme me të.

Qëllimi i këtij lloj regjimi është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz të tjerë jashtë burgut. Në këtë mënyrë mund të pengohen “bosët” apo “kokat” e krimit të organizuar që të mbajnë sërish kontakte me anëtarët e grupeve jashtë burgut dhe të urdhërojnë veprimtarinë. Ky lloj regjimi limiton numrin e takimeve të të burgosurit me familjarët, ku sipas ligjit italian, lejohet vetëm një takim në muaj. Gjithashtu, në zbatim të këtij regjimi ndalohet kontakti fizik i të dënuarit apo të paraburgosurit me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre regjistrohet.

Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10-minuteshe në muaj, edhe ajo e regjistruar. Atij i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo para. Në rast sëmundjeje, të sëmurët transferohen në reparte spitalore sipas dispozitave të “41-bis”. Po ashtu, ka një limit për kohën e qëndrimit jashtë, që nuk mund të jetë më shumë se dy orë në ditë dhe në grupe jo më shumë se 4 vetë. Të burgosurit janë aq të vëzhguar, sa është e pamundur të komunikojnë mes të dënuarve, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte dhe janë grupe sociale të ndryshme të dënuarish.

Të dënuarit dhe të paraburgosurit që do të izolohen

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese (neni 79)

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes së funksionarëve publikë (neni 79/a)

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit (neni 79/b).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për vepra penale me qëllime terroriste (neni 230)

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të financimit të terrorizimit, ku përfshihen: Rrëmbimi i avionëve, veprat kundër personit, të cilat mund të shkaktojnë vdekjen ose plagosjen e rëndë, kryerjen e akteve të dhunës kundër një personi në bordin e një avioni në fluturim, shkatërrimin e një avioni në funksionim, shkatërrimin ose dëmtimin e pajisjeve të fluturimit apo të pajisjeve të lundrimit detar, përhapjen e informacioneve që dihet se janë të pavërteta, duke rrezikuar sigurinë e një avioni në fluturim, vrasjen ose rrëmbimin e një personi të mbrojtur ndërkombëtarisht, pengmarrjen ose rrëmbimin e personit, vjedhjen e materialeve bërthamore, prodhimin, mbajtjen, blerjen, transportin apo tregtimin e lëndëve plasëse, shkatërrimin e rëndë dhe në përmasa të mëdha të pronës publike, shkaktimin e ndërprerjes së furnizimit me ujë, energji elektrike ose çdo burim tjetër të rëndësishëm etj (neni 230/a i Kodit Penal).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të fshehjes së fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin. (neni 230/b).

Personat që ushtrojnë funksione publike ose që janë në ushtrim të detyrës, të cilët vënë në dijeni dhe u japin informacione personave, për të dhënat për verifikimin ose hetimin e fondeve dhe pasurive të tjera, ndaj të cilave zbatohen masa kundër financimit të terrorizmit. (neni 230/c).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për dhënin e fondeve dhe pasurive personave të shpallur si financues të terrorizimit. (Neni 230/ç).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për rekrutimin e personave për kryerjen e veprave me qëllimeve terroriste ose të financimit të terrorizmit. (Neni 231).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për stërvitje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste (neni 232).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për nxitje thirrje publike dhe propagande për kryerjen e veprave me qëllime terroriste (neni 232/a).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për prodhim të armëve luftarake (neni 234).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin, organizimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste (neni 234/a).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin, organizimin, drejtimin, pjesëmarrjen dhe financimi i bandës së armatosur (neni 234/b).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin drejtimin e veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së drogës (neni 283, paragrafi 3).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin ose financimin e trafikut të narkotikëve (neni 283/a, paragrafi 3).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin dhe financimin e organizatave kriminale me qëllim kultivimin, prodhimin, fabrikimin ose trafikun e paligjshëm të narkotikëve (neni 284/a).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin dhe financimin e prodhimit, fabrikimit, nxjerrjes, rafinimit dhe përgatitjes pa licencë të lëndëve narkotike. (neni 284/c, paragrafi 3).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin dhe financimin e prodhimit, importimit, eksportimit, tranzitimit, tregtimit dhe mbajtjes, në i prekursorëve të treguar me ligj në tabelat përkatëse. (Neni 284/ç paragrafi 3).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin, organizimin ose drejtimin e organizatave kriminale (neni 333).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin e grupit të strukturuar kriminal (neni 333/a).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për kryerjen e veprave penale si pjesë të organizatave kriminale dhe grupit të strukturuar kriminal (neni 334).