Tre ngjarje të rënda janë regjistruar në Durrës, në 3 muajt e fundit. Mbrëmjen e 6 nëntorit të vitit 2018, do të ekzekutohej në një atentat të tipit mafioz, Edison Harizaj. Ishte ora 22.50 e mbrëmjes kur mbi automjetin me të cilin qarkullonte në lagjen nr.13 Harizaj së bashku me mikun e tij Genci Caci u derdh një breshëri plumbash. Autorët, që kishin ndjekur nga afër lëvizjet e viktimave, mundën të largoheshin në errësirën e natës. Ende sot, policia nuk ka asnjë të ndaluar për këtë ngjarje, megjithëse pak ditë pas krimit në media u nënvizua fakti se vrasja dyshohej se ishte porositur nga Belgjika dhe kishte për motiv hakmarrjen.

Harizaj ishte një person me precedent penal dhe dyshohej si kreu i një grupi kriminal të rrezikshëm në Vlorë. Megjithëse në atë kohë u shoqëruan në komisariat rreth 40 persona, asnjë nuk u ndalua dhe vrasja mbetet ende sot pa autor.
Pasditen e 14 dhjetorit 2018, 3 persona të armatosur dhe me maska grabitën në lagjen nr.14 në Shkozet 7.5 milion lekë të reja, para të Drejtorisë së Patentave, që po dërgoheshin nga punonjësit e policisë private në një bankë të nivelit të dytë. Ngjarja ndodhi rreth orës 16.30, në një zonë të populluar dhe autorët u larguan me shpejtësi me një automjet dhe humbën gjurmët.

Pas hekurave përfunduan dy policë privatë të ngarkuar për të transportuar sasinë e xhiros ditore të institucionit, ndërkohë që grabitësit janë ende të lirë.
Mbrëmjen e 12 janarit 2019, 3 persona të maskuar dhe të veshur si policë grabisin biznesmenin E.K. Nën kërcënimin e armës, autorët morën 10 800 €, në banesën e biznesmenit të transportit. Ata lidhën çiftin dhe morën me vete djalin 7-vjeçar, të cilin fatmirësisht e lëshuan vetëm pak minuta më pas.

Për hetuesit e çështjes, grabitja është kryer nga persona profesionistë, por ende nuk ka të dyshuar apo pas hekurave. Ekzistojnë dyshime se bëhet fjalë për të njëjtin grup të strukturuar kriminal që qëndron pas dy grabitjeve të ndodhura në harkun e një muaji në Durrës. Por, kur kanë kaluar më shumë se dy javë, kemi sërish një ngjarje të rëndë pa autorë.





