Në një kohë kur në Fakultetin e Juridikut ka patur përplasje dhe tensione mes studentëve për vijimësinë e protestës në ambientet e fakultetit, dekani Artan Hoxha i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Ministrisë së Arsimit.
Hoxha i kërkon zyrtarisht Ministrisë së Arsimit, t’u krijojë mundësinë e gjetjes së ambienteve të reja e të lira për të vijuar procesi mësimor për gjithë studentët e tjerë që janë të interesuar për mësim.
"Megjithë tentativën për ta bërë mësimin atje ku duhet, por në pamundësi, ne kërkojmë një ambient alternativ për të zhvilluar procesin mësimor. Ne duam të realizojmë programin arsimor, ndërsa pjesa tjetër realizohet nga institucionet që e kanë për detyrë këtë punë. Ne ambientet tona i kemi të bllokuara, por janë shumë ata që nuk janë të fakultetit tonë. Disa dalin dhe me maska dhe e keni parë që kanë krijuar konfrontime dhe kanë bërë gjëra të pahijshme. Shpresoj nga dita e nesërme të nisë programi mësimor pavarësisht se do të jetë në ambiente të tjera. Komunikuam me drejtuesit e Universitit të Tiranës, rektori nuk na është përgjigjur. Unë e marr dhe nuk kam komunikim me të, vetë kam folur me ministrinë e Arsimit po shikojmë mundësinë që të na vihen në diospozicion ambiente të tjera për të zhvilluar programin mësimor."





