Policia ka zbardhur pas dy ditësh ngjarjen e ndodhur në Zall Bastar, ku 34-vjeçari Arben Gjeci u godit në kokë disa herë me sende të forta dhe më pas ndërroi jetë në Spitalin e Traumës. E ndërsa dje e fshehu ngjarjen, paraditen e sotme policia njofton se ka arrestuar tre persona për krimin e pasionit.

Arben Gjeci u gjet para dy netësh i plagosur në rrugë. Ai kishte disa plagë në kokë, ndërsa ndërroi jetë në sallën e operacionit në spitalin e Traumës disa orë më pas si pasojë e plagëve të rënda që kishte. Sipas policisë, ngjarja fillimisht është raportuar si aksidentale, por pas hetimeve u zbulua se ishte e qëllimshme.

Sipas policisë, E.Cani më datë 24 janar 2019, rreth orës 20:30, në fshatin Bastar i Mesëm ka goditur me sende të forta në kokë Arben Gjecin 34 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Ndërsa dy të arrestuarit e tjerë, D. K. dhe E. Cani e fshehën ngjarjen.

Të arrestuarit janë; autori E.Cani 31 vjeç, E.Cani 20 vjeçe, që është motra e autorit dhe akuzohet për fshehje të ngjarjes dhe D.K. 29 vjeç, i cili gjithashtu akuzohet për fshehje të ngjarjes dhe prodhim e shitje të kanabisit, pasi iu gjet një sasi e vogël në banesë gjatë kontrollit.

Por përse u vra godit Arben Gjeci? Sipas burimeve të Report Tv nga grupi hetimor, viktima Arben Gjeci kishte pasur një lidhje të fshehtë jashtë martesore. Anëtarët e kësaj familjeje, mes tyre dhe autori E.Cani e kanë përgjuar dhe në momentin që i kanë gjetur bashkë e ka qëlluar 34-vjeçarin me sende të forta në kokë.

Më pas e ka hedhur Gjecin në rrugë, ku është gjetur nga kalimtarë të rastit, të cilët e dërguan në spital, por që nuk arriti t'u mbijetonte plagëve të rënda që kishte marrë. Gjithmonë sipas burimeve nga grupi hetimor, pas kontrolleve policia ka gjetur edhe rrobat e viktimës pranë banesës së familjes Cani. Vijojnë hetimet.