Presioni amerikan mbi qeverinë Haradinaj për heqjen e taksës që Kosova ka vënë ndaj prodhimeve serbe po merr nota kërcënuese. Deklarata e kësaj të premteve ngjan si dy pika uji me lajmin e bërë publik në 14 janar ku thuhej se mos pengimi i dialogut Kosovë – Serbi ishte një interes amerikan dhe kush bëhej pengesë për të do të përballej me pasoja. Kjo thuhet edhe sot në deklaratën e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Atëherë kryeministri Ramush Haradinaj me anë të kabinetit të tij mohoi të ketë marrë një letër duke refuzuar të tërhiqet nga taksa për produktet serbe. Por tani presioni po shtohet. Kjo e ka bërë shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, një përkrahës i presidentit Thaçi, që të deklarojë “nëse Uashingtoni insiston që me çdo kusht të hiqet taksa, atëherë kjo duhet të shqyrtohet”.

Pra kërcënimi nga Uashingtoni po e thellon krizën edhe ashtu të hapur në koalicionin qeverisës mes pasuesve të Hashim Thaçit dhe atyre të kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Por ajo që fshihet pas kësaj loje me taksën është kufiri ndarës mes atyre që janë pro ose kundër një marrëveshjeje përfundimtare shqiptaro- serbe me shkëmbim territoresh dhe popullsish. Pa e thënë zyrtarisht administrata Trump po e quan këtë zgjidhje një interes amerikan që mbështetet edhe nga zyrtarët e Brukselit. Zëra të pakonfirmuar diplomatikë thanë për Lapsi.al se cilido politikan shqiptar, kosovar, apo serb që do të bëhet pengesë për një marrëveshje me korrigjim kufijsh do të futet në listat e zeza amerikane.

Por loja nuk është vetëm me një kah. Shteti më i fortë i BE, Gjermania dhe Britania e madhe që po del prej saj janë shprehur kundër kësaj zgjidhjeje që do të hapte kutinë e pandorës në Balkanin perendimor.

Shumë kush në Prishtinë pretendon se pas vendimit të Haradinajt, për vënien e taksës me nota patriotike që ndezi gjakrat e të gjithë atdhetarëve, qëndronte Berlini zyrtar, i cili kërkon me çdo kusht mosrealizimin e një marrëveshje Thaçi- Vuçiç.