Nga Shefqet Kërcelli

Më datën 22 janar 2019, në sallën e hotel Royl-G Durrës, u zhvillua një trajnim për parandalimin dhe menaxhimin e ndotjeve detare, i cili u realizua ne kuader të projektit "Menaxhimi i ndotjes detare dhe bregdetare për rritjen e sigurisë në det dhe në porte në përputhje me ligjin dhe politikat detare të BE-së”, i financuar nga qeveria Kroate, si projekt dypalësh ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë.

Ky ushtrim simulues u organizua nga Qendra kroate per reagimin dhe parandalimin e ndotjes detare ATRAC dhe UNDP, me pjesmarrjen e përfaqësuesve dhe specialistëve të institucioneve tona shtetërore dhe private, veprimtaria dhe roli i të cilëve lidhet direkt me sigurinë detare, posacërisht:-specialistë të Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës, Drejtoria e Përgjithëshme Detare, Autoriteti Portual Durrës, Lezhë, Vlorë, Sarandë, Shëngjin, Petrolifera Vlorë, Porto Romano, QNOD, sektoret e emergjencës në Prefekturat Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Fier, kryesisht të zonave bregdetare, specialistët e mjedisit detar në porte dhe Komandën e Forcës Detare, etj.

Gjithashtu në trajnim morën pjesë dhe përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kroacisë në vendin tonë.

Trajnimi u organizua dhe u mbikqyr nga UNDP Albania, ATRAC dhe QNOD.

Qëllimi i këtij ushtrimi simulues ishte të kontrollojë mekanizmat për lajmërimin e shpejtë (paralajmërimin), verifikimin e informacionit, vendimarrjen lidhur me masat reaguese dhe menaxhimin e operacioneve të pastrimit të naftës në det dhe në breg.

Duke gjykuar protokollet per zhvillimin e këtyre operacioneve, u evidentuan një sërë cështjesh si, nevoja për pajisje shtesë të reagimit të specializuar në rast të ndotjes së mjedisit detar, hartimi i planprogramit të përshtatur të trajnimit, i cili duhet të përgatitet dhe zhvillohet në kuadër të këtij projekti. Gjatë trajnimit u zhvilluan situata të vecanta, që i shërbenin direkt tematikës dhe objektivit kryesor të tij.

Mbas prezantimit të programit dhe qëllimit të tij, nga zonja Violeta Zuna, menaxhere e programit në UNDP, Zoti Vedran Martinic, drejtor i ATRAC dhe ekspert i këtij sektori, filloi me lajmërimin e situatës simuluese duke shpjeguar me detaje, situatën fillestare, situatat pasuese në cdo orë, pozicionin fillestar të anijes, rajonin e derdhjes së naftës, llojin, gjendjen e motit, pra të gjithë elementët e nevojshëm, që pjesmarrësit të analizonin normalisht situatën dhe të merrnin masat përkatëse.

Ushtrimi filloi me një lajmërim të Kapitenerisë Vlorë se, një anije tanker, me tonazh 4000 t, kishte shpërthyer mëngjesin e datës 22 janar, në jug të ishullit të Sazanit, duke ndotur dhe ambientin përreth ishullit. Pjesmarrësit e trajnimit mbas njohjes me situatën, reaguan duke dhënë zgjidhjet e duhura, njëlloj sikur të ishte një incident real. Qëndra e drejtimit të operacionit ishte QNOD. Gjatë zgjidhjes së situatave, u studjuan dhe elementët specifikë që ndikojnë në agrovimin e situatës si rrymat e simuluara, erërat dhe baticat, moti dhe baticë/zbatica, kordinatata e vendndodhjes së anijes kohë mbas kohe dhe procedurat e ndjekjes së situatave nga qendra operative. Përshkrimi, dokumentimi, raportimi, marja dhe dhënia e mesazheve, mbajtja e ditarit nga një person i aftë për këtë punë, etj. ishin cështje të tjera specifike gjatë këtij ushtrimi.

Dhënia e situatave, kontrolli i njohjes së tyre, shpjegimi i saktë, baza e pasur didaktike e përgatitur me kujdes nga organizatorët, pyetjet, diskutimet, debatet, ndarja në dy grupe, fryma e bashkëpunimit midis tyre, bëri të mundur qe pjesëmarrësit te aftesohen, testojnë dhe forcojnë njohuritë e tyre, lidhur me reagimin e duhur ndaj një incidenti të derdhjes së naftës në det, në rrethana të ngjashme me një incident të vërtetë

Sigurisht që marrja, dhënia dhe vlerësimi i situatave të tilla i shërbejnë forcimit të bashkëpunimit midis autoriteteve detare dhe autoriteteve vendore në reagimin ndaj emergjencave të ndotjes detare. Gjithashtu i shërbejnë kualifikimit të personelit të caktuar për mjedisin detar nga Dikasteri, në Prefektura e Bashki, QNOD dhe institucionet e tjera përgjegjëse në bazë e terren. Seminari ja arriti objektivit kryesor për ti njohur specialistët e mjedit detar në vendin tonë se, si procedohet për vlerësimin e situatës, parashikimin e zhvillimit të saj, marrjen e vendimeve për reagimin e duhur dhe drejtimin e operacioneve gjatë eleminimit të ndotjes detare në Adriatik e Jon.

Këto trajnime i shërbejnë direkt testimit, rishikimit dhe përmirësimit të Planin Kombëtar të Emergjencave detare në vendin tonë, kryesisht ato për ndotjen nga nafta dhe mbetjet të saj.

Tashmë, institucione pjesëmarrëse, si pjesë e sistemit reagues të shtetit shqiptar, kanë rreth 40 specialistë të aftësuar me njohuritë dhe praktikat përkatëse për incidente të tilla. Theksojmë se në zbatim të projektit për menaxhimin e ndotjeve detare dhe rritjen e sigurisë në det e porte, në të ardhmen do ketë të tjera trajnime e aktivitete, që i shërbejnë direkt kësaj cështje të rëndësishme për vendin tonë.