Drejtori dhe dy specialistë të Hipotekës të shkarkuar, një inspektim nga Tirana që pritet të kalojë në sitë të gjithë punonjësit e këtij institucioni, madje ringritja nga e para e Zyrës së Pasurive të Paluajtshme në Durrës është ajo çfarë u komunikua nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj si reagim pas një investigimi të realizuar nga emisioni “Fiks Fare”. Reagimi i shpejtë i strukturave shtetërore pa u mbushur 24 orë nga publikimi i videos ku një qytetar nga Durrësi sorrollatej nga zyra në zyrë, ironizohej nga drejtori dhe punonjësit e tjerë dhe nuk gjente zgjidhje për problemin me pronën e tij vlen për t’u përshëndetur. Por përtej këtij reagimi, ajo mospërfillje, tallje dhe sorrollatje që shumë qytetarë të tjerë të Durrësit kanë provuar prej sa e sa vitesh në zyrat e Hipotekës, nuk mund të kalohet me shkarkimin e një drejtori.
Kryeministri Rama nxitoi të cilësonte halabak drejtorin Ardjan Iljazaj, sepse ky i fundit ishte kapur me zë dhe figurë duke i thënë qytetarit: Shko të ta zgjidhë problemin Rama! Por nga ana tjetër, kreu i qeverisë nuk tha asgjë se pse ky drejtor i zgjedhur me konkurs që aq shumë i nënvizoi në kohën e përzgjedhjes ministrja Gjonaj doli një vit nga marrja e detyrës një halabak ordiner. Mbi ç’bazë kriteresh u përzgjodh Iljazaj në këtë post sa të rëndësishëm aq edhe të vështirë, për vetë problematikën që çështja e pronës mbart në vetvete në këto 28 vite demokraci. Të drejtosh gishtin mbi një drejtor, që është përzgjedhur me konkurs si kandidati më i përshtatshëm dhe brenda vitit ta etiketosh halabak tregon edhe njëherë sesa jo efektive janë këto gjoja konkurset e famshme, që prodhojnë burokratët e rradhës në zyrat e shtetit.
Durrësi, për vetë specifikën që ka, është qyteti që pas Tiranës i ka akoma punët lesh e li përsa i përket çështjeve të pronës. Ish-pronarë që ende s’kanë regjistruar pronat e tyre apo nuk janë kompensuar, pallate shumëkatëshe ende të pa hipotekuara, me qindra e mijëra ndërtime pa leje që akoma sot nuk kanë marrë çertifikatën e pronësisë, zaptime e mbivendosje pronash, hoteli i famshëm “Vollga” mbetur si gërmadhë në qendër të zonës arkeologjike, “ish-serat” shumë pranë bashkisë së Durrësit që vetëm vitet e fundit u shndërrua në parking por me një pamje për të ardhur keq në mes të qytetit bregdetar, dhjetëra shtëpi të vjetra që po kthehen në gërmadha në lagjet kryesore të qytetit po për shkak të problemeve të pronësisë, dhjetëra të vrarë apo të plagosur për shkak të konflikteve të pronës në 28 vite. Dhe ky është vetëm një bilanc i vogël, që nuk pasqyron të gjithë amullinë që ekziston mbi problemet e pronësisë në qytetin bregdetar.
Në këto dy mandate të qeverisë Rama, Hipoteka e Durrësit ka qenë kryesisht në duart të drejtuesve të zgjedhur nga PS, në fillim Jurgis Çyrbja, tashmë deputet, i pasuar nga Ani Dyrmishi, drejtori aktual i Hekurudhës, i cili u shkarkua nga ministri teknik i Drejtësisë Gazmend Bardhi. Dyrmishi u pasua nga Adrian Kona, i cili mbante postin e zv/drejtorit të ZVRPP Durrës. Kona qëndroi shumë pak në post, pasi kryeministri Rama, në një takim me drejtorët e ZVRPP-ve u kërkoi publikisht të dorëhiqeshin.
Pas kësaj dorëheqje, ZVRPP Durrës mbeti pa regjistrues, duke bllokuar procesin e pajisjes me dokumentin hipotekor për qindra qytetarë. Në mes të nëntorit, ministrja Gjonaj komandoi Edlira Çollaku Nova në postin e kryeregjistruesit të Durrësit, deri në përfundimin e konkursit.
Konkursi i famshëm qe një ecejakje më vete, pasi siç deklaroi në atë kohë Gjonaj, pjesa më e madhe e personave që kishin dorëzuar CV-të për të zënë këtë post të rëndësishëm nuk plotësonin kriteret. Ministria ftoi sërish të gjithë specialistët të aplikonin për t’u përfshirë në procedurat e konkurrimit. Dhe pas konkurimit dhe përzgjedhjes së kandidatit më të mirë, konkursi nxorri në mesin e muajit janar fituesin Ardjan Iljazajn, halabakun e ditës së sotme sipas kryeministrit.
Pra kur këto 'prova teknike' të qeverisë Rama në gati 6 vite në Hipotekën e Durrësit përmbyllen me një drejtor halabak dhe me të gjithë punonjësit që do të rrinë mbi gjemba në pritje të verdiktit, që do t’i flakë në rrugë ose do të vazhdojë t’i mbajë në punë konkluzioni, është se ka rënë i gjithë sistemi i përzgjedhjes së njerëzve të duhur për të bërë punën siç duhet në këtë institucion.
Kur punonjësit e Hipotekës bëjnë parada me veshje të shtrenjta, këpucë me taka super të larta apo bëjnë gallata dhe tallen me "viktimën" e rradhës që pret që nënpunësit shtetërorë t’i zgjidhin hallin dhe t’i regjistrojnë pronën, të mos presim që qytetarët do të marrin shërbimin e pritur nga këta të zgjedhur për t’u shërbyer.
Furtuna që pritet të përfshijë Hipotekën në ditët në vijim nuk do të zgjidhë aspak asnjërën nga problematikat që rendita më sipër dhe shumë të tjera si ato. Thjesht do të shërbejë për të zëvendësuar ca punonjës me disa të rinj, që derisa të njihen me procedurat e punës do të kalojë ca kohë, do të bllokojë procesin e pajisjes me dokumentin hipotekor për qindra qytetarë deri në konkursin e rradhës që do të përzgjedhë drejtorin më të mirë dhe do të shtojë stresin e qytetarëve që për të regjistruar pronën e tyre, sërish do të presin me vite.
Fundja, kjo është Rilindja e Hipotekës në Durrës!
M.B.