Këtë të hënë, disa pedagogë të Fakultetit Histori Filologji të Universitetit të Tiranës kanë nisur sot grevën si mbështetje ndaj protestës së studentëve. Pedagogët e FHH shprehen se kanë vendosur të solidarizohen me studentët për realizimin e tetë kërkesave të tyre.
Në prononcimet për mediat, pedagogët janë shprehur se kërkesat e studentëve janë të drejta. Sipas tyre, "Pakti për Universitetin" i ofruar nga qeveria nuk është zgjidhja, ndërsa shtojnë se ata nuk janë pyetur për draftin e miratuar nga Këshilli i Ministrave me 12 pika ku i jepet zgjidhje pjesës më të madhe të tetë kërkesave të studentëve. Pas studentëve, edhe pedagogët kërkojnë shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë.
Nga ana tjetër, grupe të caktuara studentësh vijojnë bojkotin e mësimit te Fakulteti Ekonomik, Juridik dhe te Arkitektura. Të ndarë në grupe të vogla, studentë e disa fakulteve vijojnë të mbajnë peng zhvillimin normal të procesit mësimor pavarësisht njoftimeve të sekretarive se mësimi ka filluar dhe dhe studetët duhet të paraqiten në sallat e leksioneve dhe seminareve.





