Më shumë se 10 mijë njerëz marshuan rrugëve të Beogradit mbrëmjen e së shtunës, për të vijuar protestat kundër regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiç dhe partisë së tij në qeveri “SNS”, duke kërkuar më shumë liri për mediet si parakusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Protestuesit e mbledhur bashkë nga “Aleanca për Serbinë”, një grupim i 30 partive opozitare dhe organizatave të ndryshme, mbanin parulla ku lexohej “Sapo ka nisur” dhe thërrisnin në kor “Vuçiç hajdut”, në të tetën fundjavë radhazi të pakënaqësisë së shprehur përmes demonstratave. Edhe protestat e mëparshme kanë pasur thuajse të njëjtin numër pjesëmarrësish.
Nga zyra e Vuçiçit nuk është lëshuar asnjë reagim. Në të kaluarën, presidenti është shprehur se nuk do të përulet përpara kërkesave të opozitës për reformë zgjedhore dhe përmirësim të lirisë së shtypit, “edhe nëse do të dilnin 5 milionë njerëz në shesh”, por gjithsesi shprehu vullnetin që të testojë popullaritetin e partisë së tij në zgjedhje të parakohshme.
Protestat e fundit vijnë pas vizitës në Beograd të presidentit rus, Vladimir Putin, i mirëpritur gjatë së enjtes nga dhjetëra mijëra njerëz, të mbledhur nga mbarë Serbia.
Protestat janë përhapur edhe në qytete të tjera të Serbisë, ndërsa të premten u zhvilluan edhe në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh.