Bukurie dhe Sabije Cufaj, vjehrrë dhe nuse, janë dy nga 24 viktimat që kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në rrugën "Vëllazërimi", në Durrës, mbrëmjen e së shtunës.

Pesë ditë nga aksidenti i rëndë, kryetari i njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku, i kontaktuar nga "DurrësLajm" ka deklaruar se duke e njohur problemin dhe rrezikshmërinë e këtij aksi, edhe më parë janë marrë kontakte me institucionet vendore dhe qendrore për të gjetur zgjidhje përfundimtare:

"Kemi bërë shkresë dhe më parë për këtë problem edhe në bashki edhe në institucione. Nga policia kemi kërkuar për shtim patrullimi deri në momentin e një zgjidhje për problemin dhe zgjidhja që kemi propozuar është vendosja e një semafori që do reduktojë shpejtësinë e mjeteve. Semafori që ndodhej pak metra më poshtë i cili është dëmtuar, është menduar të vendoset në vendin ku ndodhi aksidenti pasi është edhe lidhja e shkollave me komunën e qendrën shëndetësore."

Sipas Mazrrekut, ndriçimi në rrugën "Vëllazërimi" është vendosur disa herë por është dëmtuar, ndërsa përsa i përket mungesës së semaforit deri më tani thotë:

"Ky është një aks që e ka ministria e Transportit nën juridiksion dhe për këtë arsye kemi hasur vështirësi në rregullimin e semaforit të mëparshëm apo vendosjen e një të riu në vendin ku ndodhi aksidenti, pa u shkaktuar 2 viktimat e të shtunës së kaluar. Më vjen keq për të dyja familjet pasi është një fatkeqësi që ka ndodhur pa qëllim, ndaj ju lutem shoferëve të makinave të mos e tejkalojnë shpejtësinë dhe këmbësorëve të jenë më të kujdesshëm në lëvizjen e tyre."

Në mbyllje të prononcimit për "DurrësLajm", Mazrreku shprehet se ashtu siç ka bërë të mundur mbikalimin në këtë zonë ku është rritur siguria e jetës për 600 fëmijë dhe banorë, do të ndjekë me të njëjtën rëndësi minimizimin e rrezikut edhe në këtë pjesë të njësisë administrative që ai drejton.

Bukurie dhe Sabije Cufaj u përplasen për vdekje mbrëmjen e 12 janarit në ish-Kënetën e Durrësit pasi zbritën nga autobusi dhe po kalonin rrugën, në përpjekje për të kaluar në anën tjetër, ku edhe ndodhej banesa e tyre.

Autori i aksidentit, Daniel Brahollari, tashmë në burg, deklaroi se shkak i aksidentit nuk ishte shpejtësia, por mungesa e ndriçimit dhe sinjalistikës, arsye këto që një ditë më pas, ngritën në protestë edhe banorët e zonës.

G.D.