Të paktën 5 drejtorë të policisë së shtetit pritet të ndryshohen. Ilia Nasi dhe Edmond Rizaj janë dy nga ish- drejtuesit që pritet të rikthehen në detyrë. 

Pas ndryshimeve të fundit në Policinë e Shtetit, lëvizje të tjera pritet të zyrtarizohen në ditët në vijim duke prekur Drejtoritë e disa qarqeve dhe komisariatet.

Nga burime jo zyrtare ende, bëhet e ditur se pas emërimit të Tonin Vocajt në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale dhe transferimit të Eduard Merkajt si Drejtor i Departamentit të Kufirit, Muhamet Rrumbullaku, pritet të marrë drejtimin e SHÇBA.

Lëvizjet do të vazhdojnë në komisariate, ku pritet të emërohen drejtues të rinj. 

Burimet kanë bërë të ditur se Ilia Nasi është një emër i përfolur për të marrë detyrën e Drejtorit të Policisë në Durrës.

Ai ka mbajtur detyrën e kreut të rendit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në vitin 2014, në kohën kur është zhvilluar tenderi për uniformat e policisë. 

Po ashtu mësohet se emri i Edmond Rizajt diskutohet për t'u vendosur në komisariatin e Fierit.

Më herët ai ka mbajtur pozicionin e Drejtorit kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, duket vijuar më tej dhe punën në Akademinë e Policisë. 

Një tjetër emër i diskutuar është dhe Arjan Muça, i cili pritet të rikthehet në Elbasan. 

Emra të tjerë për t’u emëruar në disa nga Drejtoritë vendore janë dhe emrat e Arben Çaka dhe Hamdi Fiore.

Caka ka mbajtur më parë detyrën e shefit të komisariatit në Tiranë, njëherazi pjesë e operacionit “Forca e Ligjit” në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Fatmir Xhafaj.

Ndërsa Hamdi Fiore, ish-Drejtor i komanduar i Policisë së Tiranë, ish-Drejtor i Forcave Speciale, ka qenë edhe shef i Shtabit të Repartit RENEA dhe Drejtor policie në Gjirokastër e Elbasan, ku ka punuar përreth 3 muaj e gjysmë. 

Ndërkaq zyra për median në Policinë e Shtetit tha se deri më tani nuk ka vendime zyrtare për ndryshime të drejtuesve të policisë. /oranews