Jahti i parë për vitin 2019, në portin e Durrësit është ankoruar në kalatën nr.1.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se jahti “Ice” me port regjistrimi në George Town ka një gjatësi prej 90 metra dhe 15 metra gjërësi.

Ai ka mbërritur nga Tivati (Mali i Zi) dhe pas qytetit bregdetar do të vijojë më tej drejt ishullit të Korfuzit (Greqi).

Gjatë vitit 2018, në portin e Durrësit për periudha qëndrimi 2-10 ditore u ankoruan 380 jahte të përmasave të ndryshme, gjatësitë e të cilëve arrinin deri në 130 metra.

Përveç shërbimeve portuale personeli i jahteve ka shfrytëzuar qëndrimin në port edhe për vizita në Durrës dhe në qendrat arkeologjike dhe muzetë e qytetit.