Nata Evropiane e Kërkuesve Shkencorë (ERN) erdhi pasditen e së premtes në Durrës dhe disa qytete të Shqipërisë.

Hapësira pranë Sfinksit, për disa orë me radhë, u kthye në qendër të hapur të dijes, inovacionit dhe komunikimit shkencor.

Pikërisht kjo hapësirë publike mjaft e frekuentuar u shndërrua në një urë lidhëse mes shkencës dhe qytetarëve.

“Ky aktivitet kishte për qëllim kryesor krijimin e kontakteve të drejtpërdrejta mes botës akademike dhe komunitetit, duke e transmetuar shkencën në mënyrën më të bukur, interaktive dhe të prekshme për të gjitha moshat”,– tha ndër të tjera për “DurrësLajm” rektori i UAMD-së, Shkëlqim Fortuzi.

Nata Evropiane e Kërkuesve Shkencorë zhvillohet njëkohësisht në qindra qytete të Bashkimit Evropian dhe rajonit. Më shumë për projektin evropian “Digital Bridges: Science, Media, Society (DiBS)”na tregon koordinatorja e tij Edmira Xhaferra.

“Në kuadër të projektit evropian “Digital Bridges: Science, Media, Society (DiBS)”, financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit HORIZON-MSCA-2025-CITIZENS-01, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) organizon edicionin e sivjetshëm të Natës Evropiane të Kërkuesve Shkencorë (European Researchers’ Night – ERN).

Ngjarja kryesore qendrore do të mbledhë studiues, të rinj, studentë dhe familjarë në një nga pikat më të njohura dhe panoramike të qytetit, tek Sfinksi, shëtitorja Vollga”.

Paralelisht me aktivitetet shkencore të organizuara në Durrës, festa e shkencës u shtri edhe në tri zona të tjera, në Shijak, Shënvlash dhe Shkozet. Ndërsa në qytetet e tjera shqiptare, aktivitete të ngjashme u mbajtën pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, si dhe në Korçë, Lushnjë dhe Vlorë.

M.B.