Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pranuar se zyrtarisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar zyrtarisht heqjen e vendimit për taksën ndaj produkteve serbe. Por kreu i ekzekutivit thotë se vendimi për taksën nuk do të hiqet derisa të arrihet një marrëveshje për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia
Në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se një kërkesë e tillë i ka ardhur përmes ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.
“Qëndrimi i departamentit vjen të unë përmes ambasadorit. Ambasadori ka shprehë qëndrimin e qeverisë amerikane për kërkesën për pezullim të taksës në mënyrë që me i hapë rrugë dialogut. Është kërkesë e tyre zyrtare. Mirëpo, ata duhet ta thonë vetë se nuk kemi fort të drejtë me i komentu qëndrimet e tyre. Po për hir të opinionit po”, ka thënë Haradinaj para gazetarëve pas mbledhjes së Qeverisë.
Megjithatë, kreu i Qeverisë thotë se taksa do të qëndrojë, derisa të ketë ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse që si rezultat do të kishte njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Ai dialogun e tri viteve të fundit në Bruksel e ka quajtur si cirk, dhe ka thënë se nuk ia vlen që të hiqet taksa për vazhdimin e një dialogu të tillë.
“Është kërkesë e tyre zyrtare. Sot e kishim pezulluar, sikur ta kishim një kontratë të dakordume, e pezullojmë. Se nuk është vendos tarifa për me e pengu një marrëveshje. Por para se të kemi një marrëveshje për njohje, për me e vazhdu një cirk që u quajt dialog si i këtyre dy tri viteve të fundit, nuk ka logjikë me u heq. Nëse shkruhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ua jap mundësinë e pezulloj, për aq ditë sa zgjat ajo mundësia me u nënshkru. Nuk është qëllimi që na me taksë me e blloku marrëveshjen për njohje”, ka shtuar tutje Haradinaj, raporton Gazeta Express.
Ai ka thënë se do të presin që të ketë një marrëveshje Kosovë-Serbi deri në vitin 2022, e nëse nuk do të ketë një marrëveshje për njohje, taksa do të qëndrojë.
“Serbia mendon me shkue deri me 22-in me zvarritje të proceseve, ne do ta mbajmë taksën deri me të 22-in. Nëse nuk ka marrëveshje, taksa rrin. BE-ja duhet me e ditë, që nëse nuk hyjmë të dyja vendet në të njëjtën ditë në BE, nuk është zgjidhë çështja e Ballkanit”, ka potencuar Haradinaj.