Bashkia e Durrësit i është përgjigjur mbrëmjen e sotme interesimit të DurrësLajm për planin e masave të ndërmarra për të parandaluar ngjarje si kjo e ditës së sotme, kur endacaku Viktor Dhima u gjet pa jetë në lagjen nr.4 të qytetit.

Bashkia deklaroi për DurrësLajm se në kuadër të planit të masave të përvitshme të Emergjencave Civile për të përballuar situatat e vështira të krijuara nga moti i acartë, punonjësit e Policisë së Rendit dhe asaj Bashkiake, inspektorët dhe punonjësit socialë janë të angazhuar që në fillim të stinës së dimrit për të evidentuar dhe dërguar të pastrehët në qendrën ditore të të moshuarve, apo në Shtëpinë e Foshnjes kur bëhet fjalë për fëmijë të vegjël.

Sa herë ata marrin sinjalizime për një kontigjent të tillë, ata kanë për detyrë t’i dërgojnë ata pranë kësaj qendre, por vlen të nënvizohet fakti se disa herë këta persona refuzojnë të sistemohen në këto ambiente.

Sipas institucionit të qeverisjes vendore, pranë qendrës ditore të të moshuarve është krijuar një ambient i veçantë në shërbim të personave të pastrehë, ku ata mund të kalojnë natën, kur temperaturat kanë arritur vlera minus edhe në Durrës.

“Deri më tani, nuk janë evidentuar të pastrehë, po ndërkohë puna vijon në terren dhe të gjitha strukturat përgjegjëse janë të angazhuara për t’u ardhur sa më shumë në ndihmë këtyre personave”,–  thekson bashkia në sqarimin e saj.