Të tjera pallate në njësinë Numër 5 janë rinkonstruktuar me anë të Fondit të Komuniteteve, i cili financon 50% të investimit. Aplikimi me anë të projekteve bëhet në Bashkinë e Tiranës nga administratori i pallatit.

“Filluam para pak muajsh me ato që ishin pallatet e para të ‘Arabit’ dhe banorët e tjerë e panë se si po dilte në dritë pallati ngjitur, ndaj filluan edhe ata të marrin nga energjia pozitive e transformimit. Thirrja ime për të gjithë banorët është: Ky është viti kur kemi financuar më shumë projekte komunitare, ndaj i ftoj që fillimisht të zgjedhin administratorin e pallatit të tyre dhe pastaj të aplikojnë. Ky është një pallat i cili deri dje dukej një katrahurë; sot as kabujt nuk duken më”, tha Veliaj.

Gjatë këtyre katër viteve Bashkia e Tiranës sipas Veliajt, ka realizuar një sërë investimesh të rëndësishme.

“Kemi bërë shumë punë këto katër vite, por një ndër gjërat për të cilën jam më shumë krenar është që këto katër vite kemi mësuar të jetojmë bashkë. Secili për vete, Zoti për të gjithë ishte një formulë që nuk funksiononte më për Tiranën; ama të gjithë bashkë, për të mirën e përbashkët, për një pallat të përbashkët, një hapësirë të përbashkët, një rrugë, kopsht, shkollë, çerdhe të përbashkët, kjo formulë funksionon dhe më vjen mirë që vatra e së mirës po përhapet. Deri dje përhapej vatra e së keqes, e pisllëkut, vatra e ndotjes, vatra e zaptimit; sot po përhapet vatra e së mirës”, tha kryebashiaku.