Që nga mesi i muajit tetor, 480 nxënësit e shkollës “Jusuf Puka” u transferuan për të zhvilluar procesin mësimor pasditeve tek “Bedrie Bebeziqi”. Por kur kanë kaluar gati dy muaj nga ky transferim, rikonstruksioni i shkollës nuk ka nisur ende.
E pyetur nga DurrësLajm për këtë problem, bashkia e Durrësit sqaron se transferimi i nxënësve u bë jo sepse do të niste rikonstruksioni, por sepse gjendja e amortizuar e shkollës nuk lejonte zhvillimin e mësimit, pasi mund të vinte në rrezik jetën e nxënësve që e frekuentonin atë. Sipas bashkisë, rikonstruksioni i shkollës është ende në proces tenderimi dhe sapo të përfundojnë këto procedura do të nisin punimet.
Gjithsesi, ajo që të bën përshtypje është fakti se pse nxënësit u lejuan të frekuentojnë shkollën për rreth një muaj, që nga mesi i shtatorit kur nisi viti i ri arsimor dhe vetëm më vonë u konstatua se ambientet e amortizuara mund të vinin në rrezik jetën e fëmijëve!
Të njëjtat burime të bashkisë i deklaruan DurrësLajm se shtatori i këtij viti do t’i gjejë nxënësit e shkollës “Jusuf Puka” në ambientet e rikonstruktuara dhe punimet do të bëhen me ritme të përshpejtuara nga firma që do shpallet fituese e tenderit.
Kujtojmë se transferimi i nxënësve për të zhvilluar mësimin pasdite pranë shkollës “Bedrie Bebeziqi” u prit me protesta të shumta nga prindërit e nxënësve. Shumë prej tyre denoncuan në DurrësLajm kushtet aspak të përshtatshme të shkollës, ku mungonin kangjellat në dritat e katit të parë, dyert e tualeteve, ndriçimi nëpër klasa dhe era e rëndë e kanalizimeve e bënte thuajse të pamundur zhvillimin normal të procesit mësimor. Shumë prindër deklaruan se ishin gati t’i çonin fëmijët në shkolla të tjera. Këto ankesa çuan në inspektimin e shkollës “Bedrie Bebeziqi” nga vetë drejtoresha e DAR, Lindita Muka, e cila u mundua të justifikonte kushtet skandaloze të ambienteve të shkollës që ndodhet në qendër të qytetit bregdetar.
M.B.





