Edhe kryetari i gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi është rrëzuar nga vettingu. Referuar raportit të Komisionit, rezultoi se Zefi nuk justifikonte dot pasurinë, kishte lidhje me eksponentë të krimit të organizuar si dhe mori vlerësime negative edhe sa u përket aftësive profesionale.

Ndryshe nga të gjithë gjyqtarët që deri më tani nuk e kanë kaluar testin e vettingut, Arben Zefi pak orë përpara vendimit paraqiti dorëheqjen.

Vlerësimi për Zefin u bë mbi bazën e dy kritereve atë të pastërtisë së figurës dhe pasurinë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pohoi se Zefi nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave për apartamentin, por as edhe të ardhurat e blerjes së automjeteve.

Mes tjerash sipas KPK-së, kryegjyqtari i Shkodrës nuk ka deklaruar edhe shumën prej 50 mijë euro të marra kredi si dhe nuk ka bërë deklarimin e automjetit të blerë nga bashkëshortja.

Gjithashtu nga hetimet e kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, thuhet se gjyqtari Arben Zefi është i përfshirë në korrupsion. Pohimet dhe të dhënat e KPK-së  janë mbështetur edhe nga DSIK, sipas të cilit Zefi është i përfshirë në veprimtari jo të ligjshme.