Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Doganat e Kosovës kanë mbledhur të hyra mbi 65 për qind të buxhetit të shtetit.
“Është me rëndësi të theksohet se Dogana si institucion ka mbledhur për buxhetin e vendit mbi 65 për qind të buxhetit në total. Janë 582 pjesëtarë të agjencisë së doganave dhe misioni i tyre është një mision me të vërtetë i rëndësishëm, pra nuk është vetëm punë e zakonshme, është buxheti, është siguria kombëtare, por janë edhe të gjitha ato informatat e nevojshme për trendet ekonomike”, është cituar të ketë thënë Haradinaj në një komunikatë drejtuar mediave.
Këto komente Haradinaj i ka bërë gjatë një vizite që ka zhvilluar në Doganat e Kosovës, ku është takuar me drejtorin e përgjithshëm e këtij institucioni, Behri Berisha.
Në anën tjetër, drejtori i Doganës, Bahri Berisha ka thënë se e ka informuar kryeministrin Haradinaj për punën që ka bërë ky institucion gjatë vitit 2018, si dhe për “të arriturat që i kanë pasur në fushën e të hyrave, luftën e ekonomisë informale, krimit transkufitar të kontrabandës por edhe shumë procese, siç janë reformat që është duke i zhvilluar dogana”, është bërë e ditur në komunikatë.
Në këtë vizitë Haradinaj ishte i shoqëruar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili ka deklaruar se Doganat janë prej kontribuuesve më të mëdhenj të buxhetit të Kosovës.
Dy institucionet që kontribuojnë me më së shumti të hyra në buxhetin e shtetit janë Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës.
Buxheti për vitin 2019, i cili pret miratimin në leximin e dytë në Kuvend, vlerësohet se do të jetë 2,3 miliardë euro. /REL