Reforma në Drejtësi ka hyrë në një fazë të avancuar në vend pas konstituimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Zgjedhja e anëtarëve dhe drejtuesve të këtyre organeve i ka hapur rrugë krijimit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar apo siç njihet ndryshe si SPAK, që ka për detyrë hetimin e korrupsionit në nivele të larta drejtuese, përfshirë edhe në fushën e politikës.

Për këtë, përfaqësuesit e Bashkimi Europian në Shqipëri kanë ftuar të gjithë prokurorët që të aplikojnë për t’u bërë anëtarë të SPAK dhe afati i fundit është përcaktuar data 7 shkurt 2019.

Sipas tyre, tani është shansi që prokurorët shqiptarë të japin kontributin e duhur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.