Ka ndërruar jetë profesori i universitetit të Durrësit, Mehdi Shehu, ish-Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale.
Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur faqja zyrtare e UAMD-së në Facebook, e cila i shpreh nga ana e saj ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të afërt të pedagogut të ndjerë.
Profesor Shehu ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për promovimin e Fakultetit të Studimeve Profesionale, hapjen e programeve të reja 3-vjeçare si dhe pati largpamësinë për suksesin e programeve profesionale.
Pavarësisht daljes në pension në vitin 2017, ai vijoi të kontribuonte në aulat universitare me zellin që e karakterizonte ngahera.
NJOFTIMI I UAMD-së:
Të nderuar pedagogë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”,
Të dashur Studentë,
Me hidhërim të madh njoftojmë se ka ndërruar jetë profesor Mehdi Shehu, ish-Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale, anëtari i Senatit Akademik, profesionisti, miku i të gjithëve ne.
Profesor Mehdiu ishte një referencë e mirëfilltë për ata që patën mundësinë të njihnin. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për promovimin e Fakultetit të Studimeve Profesionale, hapjen e programeve të reja 3-vjeçare si dhe pati largpamësinë për suksesin e programeve profesionale.
Pavarësisht daljes në pension në vitin 2017, ai vijoi të kontribuonte në aulat universitare me zellin që e karakterizonte ngahera.
Profesor Mehdiun do ta kujtojmë përherë për korrektësinë me kolegët dhe dashamirësinë për të ndihmuar lektorët e rinj dhe studentët.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të afërt.
Dritë të pastë shpirti, prof. Mehdi!





