Të paktën 7 persona kanë humbur jetën në Alpet e Austrisë, Zvicrës dhe Italisë, gjatë një fundjave me reshje të shumta bore dhe temperatura të acarta, që kanë mbërthyer të gjithë Europën.
Reshjet e borës kanë bërë që niveli i alarmit për orteqet në Bavari dhe Austri të rritet, ndërsa qyteza e vogël Shën Johann është evakuuar.
Mbi dy metra borë besohet se ka rënë në zonat e Alpeve në Austri, ditët e shkuara. Mijëra turistë kanë mbetur të bllokuar për shkak të rrugëve të mbyllura, ndërkohë që stuhitë kanë mbërthyer Europën, përfshirë Greqinë dhe Gjermaninë.
Rreth 120 fluturime janë anuluar në Aeroportin e Mynihut. Ndërsa në Greqi, një 66-vjeçare u gjet e vdekur, pasi një makinë u përfshi në një aksident në mes të stuhisë së borës. Trupi i bashkëshortit të saj dhe një tjetër burri u gjetën një ditë më vonë.
Të shtunën, zjarrfikësit shpëtuan dy francezë të bllokuar në një pyll në ishullin e Lesbosit. Ndërkohë, Britania e Madhe është përfshirë nga një masë ajri polar, me erëra arktike dhe kaos në udhëtime. Bora ka përfshirë pjesën më të madhe të veriut të vendit, e temperaturat janë nën zero.





