Nga Aleksandër Cangonja

Duke shfletuar librin e studiuesit durrsak Aristidh Mima, më doli përpara syve fotografia e një njeriu me pamje fisnike, që të ngjall menjëherë respekt: Niko Dovana. Pikërisht këtij njeriu, një prej figurave më të shquara të historisë së sportit durrsak, iu kushtua edhe emri i stadiumit të qytetit, i cili prej 28 vitesh mban emrin “Niko Dovana”.

Niko Dovana lindi në Durrës, në familjen e Vlash dhe Melani Dovanës. I ati, Vlashi, së bashku me vëllanë e tij Lazin, themeluan shoqërinë tregtare “Vllazën Dovana”, një ndër bizneset më të rëndësishme të manifakturës në qytet, që njohu sukses të madh. Nga nëna, Niko ishte nipi i Pavli Terkës, ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë në periudhën tetor 1914 – shkurt 1916 dhe pjesëtar i aristokracisë tregtare të Durrësit.

Me profesion ekonomist, Niko Dovana drejtonte aktivitetet e tij tregtare në Milano. Paralelisht, ai ishte portier, financier dhe një nga drejtuesit më të rëndësishëm të ekipit të futbollit Teuta gjatë viteve 1930–1940.

Për talentin e tij sportiv ka folur edhe legjenda e gazetarisë sportive shqiptare, Ismet Bellova, i cili shprehej: “Për Nikon më kanë thënë se vinte nga Italia enkas për ndeshje dhe kthehej përsëri, për t’u rikthyer në takimet pasardhëse. Nuk e di se ku dhe si stërvitej, por në ndeshje ishte një nga pikat më të forta dhe më të sigurta të skuadrës durrsake. Pjesëmarrja e tij pritej gjithmonë me entuziazëm, sidomos kur Teuta fitonte.”

Përtej futbollit, Niko Dovana ishte një biznesmen shumë i suksesshëm, që zhvilloi veprimtarinë e tij në Milano. Ai u nda nga jeta në vitin 1949, ndërsa gazetat italiane të kohës shkruanin se kishte ndërruar jetë një nga tregtarët më të mëdhenj të Lombardisë. Niko Dovana mbetet një figurë që bashkon sipërmarrjen, sportin dhe qytetarinë durrsake, një emër që vazhdon të nderohet si pjesë e historisë së Durrësit dhe të klubit Teuta.