Mëngjesin e së premtes, një aksident tragjik i mori jetën 41-vjeçarit Vasil Hasani, baba i tre fëmijëve të mitur.

Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin Shkozet–Shijak, në zonën e Rrashbullit, teksa Vasili po kthehej në shtëpi pas përfundimit të punës. Ai po udhëtonte me biçikletë kur, rreth orës 02:00, u përplas nga një automjet.

Sipas familjarëve, drejtuesi i mjetit nuk ndaloi pas përplasjes, por u largua nga vendi i ngjarjes, duke e lënë 41-vjeçarin të shtrirë në rrugë.

Për rreth katër orë, Vasili mbeti i vetëm në rrugë. Vetëm rreth orës 06:00, një kalimtar e gjeti dhe njoftoi autoritetet. Fatkeqësisht, për të ishte tepër vonë. 41-vjeçari kishte humbur jetën.

Vdekja e Vasilit ka lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët e mitur, Vjolnin, Klajdën dhe Ermalin. Edhe prindërit e tij janë të moshuar dhe familja tashmë përballet me një situatë të vështirë ekonomike dhe emocionale.

Sot, familja Hasani nuk ka humbur vetëm një bashkëshort dhe baba. Ka humbur shtyllën kryesore të shtëpisë, mbështetjen dhe sigurinë e tre fëmijëve që kanë ende nevojë për përkujdesje.

Për këtë arsye, bëhet apel për të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë dhe të gjenden pranë kësaj familjeje në këtë moment të vështirë.