Policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të aksidentit tragjik në Rrashbull të Durrësit, në aksin Shkozet–Shijak, ku humbi jetën 41-vjeçari Vasil Hasani.
Rezar Rexhepi, 38 vjeç, banues në Sukth, Durrës, është personi që akuzohet se shkaktoi plagosjen me pasojë vdekjen të 41 vjeçarit Vasil Hasani.
Ngjarja ndodhi në orët e para të së premtes, rreth orës 02:00, teksa 41-vjeçari po kthehej nga puna me biçikletë.
Ai u përplas nga një automjet, ndërsa drejtuesi i mjetit dyshohet se u largua nga vendi i aksidentit, duke e lënë të plagosurin në rrugë pa ndihmë.
Për rreth katër orë, 41-vjeçari qëndroi në rrugë, deri në momentin kur rreth orës 06:00 u gjet nga një kalimtar, i cili njoftoi autoritetet. Për shkak të plagëve të marra, Hasani kishte humbur jetën.
Vasili ishte baba i tre fëmijëve të mitur dhe pas tij mbetën bashkëshortja, dy djemtë 14 dhe 10 vjeç, si dhe vajza 13-vjeçare.
Pas tragjedisë, familja Hasani po përballet me vështirësi të mëdha, ndërsa është hapur edhe një fushatë për mbështetjen e familjarëve të 41-vjeçarit.





