Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se autori i vrasjes së gruas shtatzënë në Malisheve të Kosovës është bashkëshorti i saj, i cili edhe ai mbeti i plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas të dhënave fillestare të Prokurorisë, gruaja, bashkëshortja e të dyshuarit, ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Çifti i bashkëshortëve u gjetën në gjendje të rëndë në dhomën e tyre të gjumit. Viktima është identifikuar si Jetlira Foniqi, 25 vjeçe e cila ishte shtatzënë në javën e 34-t, dhe bashkëshorti i saj Egzon Bytyqi, 26 vjeç.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:20 të ditës së djeshme, në fshatin Kërvasari, pasi Policia e Kosovës u njoftua për një person të plagosur me armë zjarri.

Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohet autopsisë.

Për rastin është ngritur akuza per veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.