Pas festave të fundvitit, studentët do t'u rikthehen këtë të hënë protestave. Të dielën në mbrëmje studentët u mblodhën në Qytetin Studenti për të riorganizuar qëndrimin e tyre. Zgjidhjen e dhënë nga kryeministri nuk e pranojnë pasi e duan me votën në parlament dhe jo me vendim të këshillit të ministrave. Në protestën e sotme ata kanë ftuar të gjithë qytetarët që duan të protestojnë për të drejtat e tyre.
Studentët kanë paralajmëruar se nuk do të bëjnë kompromis dhe se do të kërkojnë plotësimin e 9 kërkesave të tyre, jo me Vendim të Këshillit të Ministrave, por me votë në parlament.
Ata paralajmërojnë një tubim masiv para Kryeministrisë me mbështetje të studentëve të rretheve dhe qytetarëve.
Organizimi do të jetë i njëjtë: do të nisë nga fakultetet në orën 8 dhe në orën 10:00 do të marshohet drejt kryeministrisë. Pankartat nuk do të mungojnë, paralajmërojnë edhe surpriza, por nuk pranojnë të zbulojnë detaje.
"Protesta do të vijojë me orare të zgjatura, por turni i natës do të hiqet, sepse bëhen presione dhe makinacione të shumta", tha një tjetër student.
Sa i përket paktit me universitetin, lançuar nga kryeministri, studentët nuk shprehen të kënaqur dhe thonë se nuk është zgjidhur asnjë prej kërkesave.
Protesta nuk do të ketë një afat, studentët shprehen se ajo do të përfundojë në momentin që kërkesat të marrin zgjidhje, po ashtu nuk përjashtojnë mundësi për përshkallëzim.





