Jo të gjithë kanë mundësi të festojnë pranë familjeve të tyre në natën e ndërrimit të viteve. E thënë kjo pasi ata të cilët nuk gëzojnë shëndet të plotë janë të detyruar të qëndrojnë pikërisht në ambientet e spitalit përgjatë kësaj nate. Më shumë se 10 pacientë të vegjël në pediatrinë e spitalit rajonal të Durrësit nuk do të mundin të festojnë pranë familjarëve të tyre, pasi sipas mjekes pediatre Gjyzede Zalla duhet të marrin mjekim edhe në ditët në vazhdim.
Edhe pse situata është në monitorim të plotë, një pjesë e mirë e pacientëve të vegjël janë shtruar në spital për shkak të komplikacioneve që paraqesin me frymëmarrjen apo temperaturën e lartë.
Ndërkohë, mjekja pediatre Zalla tregon se janë marrë të gjitha masat paraprake nga ana e stafit të punonjësve në pediatrinë e spitalit rajonal Durrës për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë vogëlushëve, të cilët do të kenë probleme shëndetësore.
Duke uruar shëndet të plotë për këdo, mjekët këshillojnë ndër të tjera prindërit të kujdesen për të vegjlit e tyre në këto ditë të ftohta dimri.
K.H.





