Dita e fundit e 2018-s i gjen të zbardhura disa akse rrugore në vend.
Këtë mëngjes, Qafa e Llogarasë është mbuluar nga dëbora. Rruga kalohet me vështirësi dhe Policia u apelon drejtuesve që të përdorin zinxhirët në ngjitje dhe zbritje të Llogarasë, pasi prezenca e dëborës në rrugë mund të bëhet shkak për aksidente rrugore.
Parashikimet e motit tregojnë se reshje dëbore pritet të ketë edhe në zona të tjera të vendit, kryesisht në veri dhe verilindje, zona këto të cilat do festojnë ndërrimin e viteve nën petkun e bardhë të dëborës.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, temperaturat në vendet malore do të zbresin deri në -4, në zonat e ulëta zbresin në -2. Mbërritja e masave ajore të ftohta siberiane duket se do të sjellë dhe një natë të ftohtë të ndërrimit të viteve.





