Autostrada që lidh kryeqytetet e Kosovës dhe Maqedonisë, përkatësisht Prishtinën dhe Shkupin, ishte paraparë të përfundonte në fund të këtij viti. Por, në bazë të paralajmërimeve, lëshimi në qarkullim i kësaj autostrade mund të shkojë përtej këtij afati.
Që nga fillimi i ndërtimit në Korrik të vitit 2014, nga kompania ndërtuese është paralajmëruar se autostrada do jetë e gatshme për qarkullim në fund të vitit 2018.
Por, nga punët në terren zyrtarë të Qeverisë nuk shpresojnë se punët mund të përfundojnë gjatë 10 ditëve të mbetura të këtij viti.
Konsorciumi turko-amerikan “Bechtel-Enka”, është kompania e cila po ndërton këtë autostradë.Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që të marrë një konfirmim nga përfaqësues konsorciumit se kur mund të përfundojë projekti, por ata nuk janë përgjigjur për ndonjë konfirmim të mundshëm.
Ndryshe, ky konsorcium është i njohur në Kosovë, pasi që paraprakisht ka ndërtuar edhe autostradën që lidh Kosovën dhe Shqipërinë.
Rexhep Kadriu, zëvendësministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se punët në autostradën Prishtinë – Shkup, e quajtur “Arbën Xhaferi”, po vazhdojnë me dinamikën që po lejojnë kushtet klimatike. Por, që sipas tij, mundësitë janë të vogla që punët të përfundojnë deri në fund të këtij viti, ashtu siç parashihet në kontratë.
“Në autostradën Prishtinë- Shkup është duke u punuar me intensitet të shtuar. Është montuar trari i fundit i urës. Sipas dinamikës që jemi duke parë në terren vështirë se mund të përfundohet, për arsye se nuk guxojmë të rrezikojmë urën më të gjatë në Ballkan për asfaltim sepse nuk lejojnë kushtet atmosferike për asfaltimin e kësaj ure”, tha Kadriu.
Edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se projekti nuk do të përfundojë brenda këtij viti për shkak të kushteve atmosferike. Këto komente ai i ka bërë të enjten gjatë një vizite inspektuese në punimet që janë duke u zhvilluar. Megjithatë, Lekaj ka kërkuar nga kompania kontraktuese që punimet e mbetura të realizohen me standarde të larta.
Çështja e autostradës Prishtinë – Shkup, ishte në qendër të vëmendjes këta tre muajt e fundit, pasi që Qeveria e Kosovës kishte vendosur që t’i paguante kompanisë “Bechtel- Enka” një shumë prej 53 milionë euro, për shkak të mospagesës së rregullt të faturave.
Vendimi për ndarjen e këtyre mjeteve kishte nxitur debate dhe dyshime nga partitë opozitare dhe shoqëria civile, kurse Kryeprokuroria dhe Policia e Kosovës kanë nisur hetimet. Ato kanë bërë të ditur se janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel-Enka”.
Një gjobë e tillë, të cilën e kishte paguar buxheti i Kosovës, ka nxitur më pas reagime se a mund të ketë ndëshkime edhe për “Bechtel- Enka” nëse nuk i kryen punimet sipas planifikimeve.
Rexhep Kadriu, nga Ministria e Infrastrukturës, thotë se janë duke shqyrtuar kontratën bazë më kompaninë ndërtuese për masat eventuale që mund të merren në rast të mos realizimit në kohë të projektit.
“Ne jemi duke shqyrtuar kontratën bazë që kemi më “Bechtel Enka” dhe opinioni do të njoftohet në kohën e duhur për masat që do të merr Qeveria e Republikës së Kosovës”, shprehet Kadriu.
Ndërsa Qeveria thotë se po shqyrton masat që mund të ndërmerren, organizatat joqeveritare rikujtojnë se kontrata e lidhur midis Qeverisë dhe “Bechtel- Enka” nuk është bërë asnjëherë publike, andaj edhe nuk dihen detaje nëse parashikohet ndonjë masë ndëshkuese.
Genc Nimoni nga Lëvizja “Fol” thotë për Radion Evropa e Lirë, se është vështirë të jepet një konstatim i saktë në mungesë të kontratës, por sipas tij, duhet të ketë masa ndëshkuese për kompaninë nëse nuk përfundojnë punën në afatin e paraparë.
“Ne nuk e kemi parë kontratën më kompaninë fituese. Mund të them se është një ndër kontratat më kontroverse. Por, pavarësisht kësaj, kontrata duhet të ketë penalltitë në rast të vonesave në realizmin e punëve, normal që duhet të pasojë llogariadhënia dhe ndëshkimi për kompaninë”, vlerëson Nimoni.
Autostrada Prishtinë- Shkup e quajtur “Arbën Xhaferi” me gjatësi prej rreth 60 kilometrash, buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë 600 milionë Euro.