Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra Admir Belishtën, gjyqtar dhe kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa. Sipas hetimit të KPK, Belishta ka probleme me pasurinë, pasi nga viti 2003 deri ne 2017, ato janë rritur në mënyrë të pajustifikueshme.
Gjyqtari nuk ka deklaruar burimin e ligjshëm për blerjen dhe mobilimin e një apartamenti në Korçë në vitin 2009, me sipërfaqe 107 metra katrorë dhe me vlerë 6 milionë lekë. Gjithashtu, ai nuk ka pasur të ardhura të ligjshme për të justifikuar shpenzimet. Gjyqtari vetë, i cili ishte i pranishëm në seancë, tha se burimi i pasurisë ishte i ligjshëm dhe se në kohën kur ka blerë apartamentin, ka qenë beqar dhe mobilimi i tij është bërë hap pas hapi ndër vite, duke i deklaruar shpenzimet në ILDKPKI.
Ai tha më tej se prindërit i kishin dhuruar 1.2 milionë lekë për blerjen e apartamentit. KPK vazhdoi më tej me një pronë tjetër, banesë 62 metra katrorë në Maliq. Sipas hetimit administrativ, Belishta nuk kishte deklaruar burimin e ligjshëm të ndërtimit dhe mobilimit të banesë me një vlerë 2.6 milionë lekë dhe se kishte dyshime për deklarime të rreme për përfitimin e truallit. KPK ngriti dyshime edhe për ndërtim të paligjshëm, pasi shtëpia ishte legalizuar në vitin 2014.
Për këtë pronë, Belishta tha se kishte vënë në vend një amanet të gjyshit të tij. Ai tha para Komisionit se toka ishte oborri i shtëpisë ku ai ishte rritur rreth viteve 1970 dhe se e kishte pronësuar me ligjin 7501. Ai tha se nuk kishte pasur konflikt interesi me personat që kishin menaxhuar dokumentet për lejet.





