Buxheti i vitit 2019 është votuar mbrëmjen e sotme në mbledhjen e rradhës së Këshillit Bashkiak Durrës.

Buxheti ka marrë 27 vota pro, duke siguruar kështu kuorumin e nevojshëm për miratimin e tij.

Në sallën e mbledhjes kanë munguar anëtarët e Këshillit Bashkiak të PD, të cilët e kanë bojkotuar mbledhjen, si dhe disa anëtarë të LSI.

Anëtarët e pranishëm nga LSI bashkuan votat me anëtarët e PS për t’i hapur kështu dritën jeshile projekteve të parashikuara nga bashkia e Durrësit për t’u realizuar në vitin 2019.

Buxheti u miratua me disa ndryshime të vogla të propozuara nga këshilltarët e LSI-së.

Ndërkohë, të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan, me përjashtim të pikës 8 dhe 10 që u lanë për t’u diskutuar në mbledhjen e ardhshme.

Dy pikat që nuk u miratuan në mbledhje:

8. Për miratimin e ndryshimit të pikës 1 të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr.117 datë 16.11.2006 "Për miratimin e dhënies me qera të ambienteve të n.p.a, kati përdhe të përshtatur në ambiente banimi, pronë shtetërore në lagjen nr.14, Shkozet Durrës."

10. Për miratimin e dhënies me qira të terrenit sportiv, që përfaqëson dy fusha tenisi me sipërfaqe 1420 m2, të ambjentit godinë 1kt me sip. 32.4 m2 dhe të sip.124.6m2, që përfaqëson shkallët betonarme dhe ndërtime të rrjetit të infrastrukturës (kanalizime dhe sip. të gjelbëruara),  që janë në funksion të terrenit sportiv, me vendndodhje në territorin e gjimnazit “Leonik Tomeo”,  dhe të terrenit sportiv, që përfaqëson fushën e tenisit me sipërfaqe 591.3 m2, me vendndodhje në amjentin e jashtëm të shkollës 9-vjeçare “14 nëntori”, pronë e bashkisë durrës, për një afat 5-vjet, nëpërmjet procedurës së konkurrimit.