Komisioni kushtetues në Kuvendin e Maqedonise filloi shqyrtimin përfundimtar në tekstet e propozim-amendamenteve për ndryshimet kushtetuese. Opozitën shqiptare dhe shumicën i përplasi amendamenti 33 dhe çështja e shtetësisë. Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela theksoi se propozim-amendamentet janë në kundërshtim me parimet e Qeverisë për shtet multi-etnik. Sipas Selës ndryshimet kushtetuese i kategorizojnë shqiptarët si qytetar të rangut të dytë falë nacionalizmit të kryeministrit Zaev.
“Ju kemi dëgjuar edhe në kohën kur e hapët kushtetutën me VMRO-në. Atëherë nisët një fushatë të madhe se gjoja luani qenka stemë edhe e shqiptarëve. Me të njëjtën logjikë dhe stil i bëni edhe tani argumentet. Vazhdimisht flet për të huajt dhe harron që këta njerëz këtu janë më të rëndësishëm se të huajt sepse janë përfaqësues të popullit. Qasja juaj fatkeqësisht është e “si dhe qytetarëve”. Bëju qytetar tamam. Në qoftë se do ishte qytetar tamam dhe me dinjitet nuk do na vinte ai propozim në marrëveshjen e Prespës"- deklaroi Ziadin Sela.
Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli ndryshimet pas debatit publik i quajti ndryshime kozmetike. Sipas Zendelit, çështja e shtetësisë në pamundësi që të përfshihet në amendamente, po propagandohet përmes ligjit kushtetues.
“Pozicionet e mia i kam thënë edhe më herët por do t’i them edhe tash se ka intervenime të caktuara të cilat do t’i quaja kozmetike, sa për t’i thënë opinionit publik se diçka është bërë dhe diçka është pranuar por në esencë nuk ndryshohet asgjë në brendi të 4 amendamenteve”– tha Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.
Zëvendëskryeministri Bujar Osmani propozimet e opozitës shqiptare i cilësoi si të bukura por jo në përputhje me marrëveshjen e Prespës. Osmani dyshon në një dorë të zgjatur që tenton të rrënojë proceset integruese të vendit.
“Unë di t’i shkruaj amendamentet më të mira që do t’i barazojnë shqiptarët dhe që do t’i trajtojnë të gjitha temat tjera. Por a duhet ne tani ta ngarkojmë procesin dhe ta thyejmë duke e ditur se procesi po ecën në teh. Unë personalisht mendoj se ka një dorë të fshehur në këtë proces që po tenton ditëve të fundit të procesit ta komprometojë atë”– deklaroi Bujar Osmani, raporton Alsat.
Pas shqyrtimit të propozim-amendamenteve në komisionin amës, fillon faza e propozimit të amendamenteve ndaj propozim-amendamenteve të Qeverisë. Afati deri kur mund të propozohen amendamente është 31 dhjetori i 2018. VMRO-DPMNE disa ditë më parë njoftoi se tërhiqet nga diskutimet në Komisione dhe seancë plenare si pasojë e procedurës jo kushtetuese.