Sipas ekspertëve, ka shumë mënyra të reja për të mashtruar. Studimet e fundit thonë se sjellja në rrjetet sociale është shkaktare e rreth 15 për qind të divorceve, shifër e cila nuk është shumë befasuese kur e kemi parasysh faktin se 58 për qind e njerëzve e dinë fjalëkalimin e telefonit dhe llogarisë së Facebookut të partnerit/es.

Ndërkaq, 76 për qind e grave vlerësojnë se mesazhet flirtuese janë tradhti, ndërsa kjo përqindje te burrat është 59. Me një fjalë, pëlqimi i fotografisë së dikujt në Instagram është i barabartë me një marrëdhënie intime. Sidoqoftë, a janë metodat e vjetra të tradhtisë ende të gjalla dhe funksionale?

Në bisedë me disa të rinj, ata tregojnë se si kanë tradhtuar, si është zbuluar tradhtia e tyre dhe si janë ndier pas këtij veprimi. Një vajzë e moshës 30-vjeçare nga Londra thotë se e ka tradhtuar të dashurin me dy djem të tjerë për gjashtë muaj me radhë. “Kam qenë në një marrëdhënie të gjatë me një person. E kam tradhtuar partnerin me persona që i kam njohur përmes aplikacioneve të ndryshme dhe rrjeteve sociale. U zbulova kur shkova në një takim me partnerin e fshehtë dhe aty ishte edhe shoku i të dashurit tim. Ai më pa duke ia kapur dorën personit që ishte me mua dhe i kishte treguar menjëherë të dashurit tim. Unë u mundova ta bind se jemi vetëm shokë, por ai nuk më besoi”, thotë ajo.

Kjo vajzë thotë se nuk është penduar për atë që ka bërë. “Unë isha duke kaluar në një periudhë dramatike në familjen time, ndërsa i dashuri im nuk më përkrahte, prandaj mashtrimi im ishte thjesht një kundërpërgjigje ndaj mungesës së përkrahjes nga ana e tij. Nuk e tradhtova me njerëz të rastësishëm. E kam tradhtuar me njerëz që vërtet më kanë përkrahur dhe për të cilët kujdesem shumë”, shtoi 30-vjeçarja.

Një vajzë tjetër 26-vjeçare, Nadia nga Nottinghami, thotë se i dashuri i saj ia zbuloi tradhtinë përmes aplikacionit “Tinder”. “Isha duke përgatitur ushqim, kur ai arriti ta hapte telefonin tim. U mbyll në banjo dhe e rishkarkoi aplikacionin Tinder, me ç’rast e zbuloi se kisha pasur kontakte në të kaluarën. Kur e pashë se çka ka ndodhur, mbeta pa fjalë. Nuk mund ta mbroja veten. Faktet i kishte në dorë, prandaj u ndamë menjëherë, shkruan “Vice”.