Dy nga studentët e proceduar penalisht nga policia nga 25 persona në total, kanë dalë sërish në protestë gjatë ditës së sotme dhe thonë se nuk tërhiqen. Në një prononcim për News 24 nga protesta, studentët e proceduar Henri Fero dhe Estela Nazarko janë shprehur se ata nuk kanë shkelur asnjë rregull.
Studentja Estela Nazarko: Nuk është se u shqetësova, pasi është një lëvizje e radhës për të na trembur. Jam shumë mirë dhe do vazhdoj të protestoj. Këtu nuk ka asnjë organizator dhe protesta nuk është e përçarë. Ne jemi të gjithë studentë të hedhur në rrugë. Rama ka dalë në TV dhe ka bërë monolog me veten. Do jemi këtu deri në plotësimin e kërkesave tona.
Studenti Henri Fero: Në këtë protestë nuk kam hedhur një letër çamçakëzi në tokë dhe jo më objekte në drejtim të Ministrisë. Unë di 5 gjuhë të huaja dhe nuk jam figurë vandale. Unë nuk jam organizator dhe jam qytetar i thjeshtë që dua vendin tim.





