Protesta e studentëve hyn sot në ditën e 9-të. Pas një proteste maratone ditën e djeshme ku morën pjesë rreth 6500 studentë, përfshirë gjimnazistët dhe student nga rrethet, protesta u nda në tre grupime. Një pjesë e studentëve protestuan dje para Ministrisë së Arsimit, një pjesë e tyre para Kryeministrisë, ndërsa një pjesë tjetër protestuan tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi.
Një pjesë e vogël e studentëve e kanë kaluar natën para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit, duke përballuar temperaturat e ulëta gjatë natës, që kanë shkuar në minus 2 gradë C, ndërkohë që është e paqartë situata për vijimin e protestës. Megjithëse kryeministri Edi Rama u shpreh mbrëmjen e djeshme se është i gatshëm të përgjysmojë tarifat për të gjithë studentët, ende nuk ka një përgjigje nga këta të fundit.
Ditën e djeshme skadoi edhe afati i vendosur prej tyre për qeverinë për të pranuar 8 kërkesat e tyre. Studentët protesojnë për përgjysmimin e tarifave për të gjitha ciklet e studimit, përfaqësimin e studenteve në senatin e akademik dhe bordet e universitetit si edhe rritjen e investimeve për përmirësimin e kushteve në konvikte dhe biblioteka.





