Agjencia Kosovare e Inteligjencës u nxitua në rastin e arrestimit të 6 gylenistëve dhe procedurat duhet të ishin ndjekur normalisht. I këtij mendimi është Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha përpara komisionit hetimor se u vu në dijeni pas deportimit të tyre drejt Turqisë.
Haradinaj tha se me gjasë as Presidenti Hashim Thaçi nuk ka qenë i informuar për këtë aksion, por nënvizoi se e cilëson mos informimin për këtë operacion, një fyerje ndaj tij.
Kryeministri i Kosovës sqaroi se deri më tani askush nuk i ka kërkuar të mbyllë shkollat turke në vend dhe as kolegjin “Mehmet Akif”, të konsideruara nga Ankaraja si burime të rrezikshme të organizatës FETO, të armikut më të madh të Presidentit Erdogan, Fetullah Gylenit.
Presidenti Hashim Thaçi, edhe ai i thirrur për sqarime përpara komisionit hetimor, nuk ishte i pranishëm pasi ndodhet ende në SHBA, në vizitë zyrtare.