Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë publike të dhënat për administrimin e plazheve gjatë vitit 2026, duke theksuar rritjen e ndjeshme të hapësirave publike në dispozicion të qytetarëve dhe pushuesve.

Sipas Gonxhes, këtë vit janë 1,689 parcela/stacione plazhi me funksion dhe administrim publik, nga 1,014 të tilla në vitin 2025. Kjo përfaqëson, siç thotë ai, një rritje prej 67%, ose 675 parcela më shumë.

Sipërfaqja totale e plazheve publike është rritur në 3.18 milionë metra katrorë, nga 2.88 milionë metra katrorë një vit më parë, duke shtuar rreth 303 mijë metra katrorë hapësirë publike, ose 10.5%.

Një nga risitë e këtij sezoni është administrimi i 124 parcelave nga bashkitë, një kategori e re shërbimi e zyrtarizuar këtë vit.

Këto plazhe janë të pajisura me çadra dhe shezlongë dhe ofrojnë shërbime me tarifa më të përballueshme.

Ndërkohë, 665 parcela plazhi që më herët menaxhoheshin nga privatët janë rikthyer në funksion publik, si pasojë e mos-aplikimit ose refuzimit të aplikimeve. Sipas ministrit, kjo ka shtuar rreth 768 mijë m² në sipërfaqen e plazheve publike.

Gonxhja thekson se rritja e hapësirave publike, administrimi bashkiak dhe tarifat e miratuara nga këshillat bashkiakë synojnë të frenojnë abuzimin me çmimet dhe të ofrojnë alternativa më të përballueshme për pushuesit.

Ministri shtoi se formalizimi i plazheve, fiskalizimi i pagesave, masat e sigurisë dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve kanë ndikuar në uljen e kostove dhe përmirësimin e administrimit të sezonit turistik.

Megjithatë, sipas tij, mbetet ende punë për t’u bërë sa i përket kontrollit dhe ligjshmërisë në plazhet liqenore dhe lumore, zonat e mbrojtura dhe ishuj, si dhe për garantimin e standardeve të qëndrueshme të higjienës, sigurisë dhe aksesit të përballueshëm.

Postimi i plotë:

LAJME TË MIRA – PLAZHI PUBLIK

•Plot 1,689 parcela/stacione plazhi me funksion e administrim publik në vitin 2026, kundrejt 1,014 në vitin 2025. +67% më shumë, ose +675 parcela publike!

•Sipërfaqja totale publike shkon në 3.18 milionë m², nga 2.88 milionë m² në vitin 2025, pra 303 mijë m² më shumë plazh publik (ose +10.5%)!

•124 parcela/stacione publike janë këtë vit në administrim të bashkive, një tipologji e re shërbimi që nuk ishte e zyrtarizuar në vitin 2025. Kjo kategori plazhi e tarifuar dhe e pajisur me çadra e shezlongje me çmime shumë ekonomike përbën 475 mijë m² hapësirë për pushuesit.

Nga këto 124 njësi, më shumë ka Lezha me 49, Durrësi me 38, Shkodra me 16, Himara me 11 dhe Vlora me 10. Për nga sipërfaqja, Durrësi ka rreth 316 mijë m², Lezha 75 mijë m², Himara 51 mijë m², Vlora 21 mijë m² dhe Shkodra 13 mijë m².

•665 parcela/stacione plazhi më herët të menaxhuara nga privatët, janë kthyer në funksion publik, si rezultat i mosaplikimit ose refuzimit të aplikimeve. Kjo i shtoi sivjet plazhit publik 768 mijë m² në sipërfaqe.

•Edhe shtrirja e stacioneve/plazheve përjashtimore është zgjeruar: 22 plazhe përjashtimore në vitin 2026, nga vetëm 2 në vitin 2025, pra 20 stacione më shumë / ose 11 herë më shumë. Duke përfshirë 570 parcela dhe rreth 1.42 milionë m² sipërfaqe plazhi të menaxhuar e të formalizuar.

Lufta ndaj abuzivizmit të çmimeve përmes alternativës së re të plazhit me menaxhim bashkiak, me tarifa të miratuara në këshillat bashkiak dhe që rregullojnë tregun duke ofruar mundësi të përballueshme shërbimi e akses publik të garantuar, bashkë me formalizimin e plazheve dhe me fiskalizimin e pagesave, me rritjen e ndërgjegjësimit dhe masat e sigurisë në det e në vrojtim, kanë sjellë një rezultat pozitiv e të prekshëm për qytetarët dhe pushuesit, duke ulur kostot e mirëadministruar turizmin.

Ka ende shumë për të bërë me kontrollin dhe ligjshmërinë edhe në plazhet liqenore e lumore, në zonat e mbrojtura e në ishuj, për standarde e protokolle të qendrueshme higjene, sigurie e aksesi të përballueshëm.