Kritikat ndaj institucionit ku punon i kanë kushtuar vendin e punës pedagogut të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Dardan Shehdula. Ai ka marrë paralajmërim për pushim nga detyra nga dekani Luigji Turmalaj, i cili e argumenton vendimin me braktisjen për një javë të vendit të punës.

I kontaktuar nga Ora News, pedagogu i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare hedh poshtë këtë arsyetim. Ai pohon largimin me disa ditë në Gjermani, por thekson se ka marrë leje nga Departamenti. Por rrënjët e përplasjes dhe largimit nga detyra janë më thella se kaq.

Sipas Shehdulës, adresimi i problematikave në rrjetet sociale ndaj Universitetit Bujqësor janë të vetmet arsye që kanë sjellë shkarkimin. E pas tyre edhe një varg problematikash, të cilat i ka renditur përmes një letre të hapur drejtuar studentëve dhe krerëve të Universitetit.

“Jam i paaftë kur shikoj që studentët më të mirë mbushen me gjysëm njohuri dhe prekoncepte që i bëjnë të paaftë të punojnë në terren, kur studentët lëshohen rrugëve për të bërë praktikat profesionale. Ka 8 vjet që nuk ka fonde për mësim, por ka për të shtruar pllaka mbi pllaka, për të lyer fasada, për të bërë lulishte e parkingje, përvjetore, dreka e darka, siç e kërkon tradita”,- shkruan pedagogu Shehdula në letrën e tij.

Ai është diplomuar në Universitetin e Bolonjës dhe doktoruar po në të njëjtin institucion. Rasti i tij është i rradhës që intelektualët nuk vlerësohen, por kontributet e tyre në një kohë kur studimet tregojnë se persona me formim të tillë akademik po i largohen Shqipërisë në masë. /oranews