Parlamenti malazez, pas 100 vitesh, pritet të shfuqizojë vendimet e të ashtuquajturit ‘Kuvend i Podgoricës’ me të cilat Nëntorin e vitit 1918 Mali i Zi iu ‘bashkua’ Serbisë dhe pushoi së qenuri shtet.
Kryeministri malazez, Dushko Markoviç, ka komentuar të mërkurën reagimet kryesisht negative nga qarqe serbe në Beograd lidhur me këtë përvjetor.
“Me të vërtetë nuk do të lejojmë, me të vërtetë nuk do të lejojmë, që shteti ynë, interesi dhe identiteti ynë kombëtar, të ndërtohet nga jashtë. Ai do të krijohet në Mal të Zi. Ne e kuptojmë se Serbia ka probleme serioze edhe me Kosovën, edhe me Kroacinë, në njëfarë mënyre, edhe me Bosnjë-Hercegovinën. Ne promovojmë dialog dhe mirëkuptim”, tha Kryeministri malazez duke shtuar se vendi i tij nuk është armik i askujt, por nuk do të lëshojë pe përpara asnjë kërcënimi ndaj dinjitetit kombëtar e shtetëror.
Kreu i qeverisë malazeze ka komentuar edhe habinë e Kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, se si është e mundur që vende mike të Maqedonisë, lejuan arratisjen nëpër territoret e tyre të ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski.
“Unë me të vërtet me kolegun Zaev kam marrëdhënie miqësore dhe në vend të përgjigjes do ta pyesja miqësisht mikun tim Zaev: Si mundi të lejojë Maqedonia jonë mike që Gruevski të braktisë Maqedoninë, sepse ky nuk është detyrim i vendeve tona por i vendit të tij. Zaev është mirë të merret me çështjen pse dhe si e braktisi Gruevski Maqedoninë, pse vendimi për fletë-arrest nuk u mor me kohë dhe si hyri ai në një vend anëtar të BE-së pa pasaportë”, ka pyetur Kryeministri i Malit të Zi gjatë një interviste për televizionin shtetëror në Podgoricë. /Klan Macedonia