Shtetet e Bashkuara u kërkuan autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifat ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.
Ky qëndrim u shpreh në një deklaratë të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, pas një takimi që Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo pati të hënën me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku ai i bëri thirrje Kosovës të përfitojë nga rrethanat e krijuara për të arritur një marrëveshje historiike me Serbinë.
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të mbështesin palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”, thuhet në deklaratë.
Pas takimit, presidenti Thaçi nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes së Zërit të Amerikës, nëse e shihte vendimin për tarifat si një qëndrim kundër bisedimeve me Serbinë apo kundër ideve të tij për korrigjimin e kufirit si rrugë e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, por e vuri theksin tek nevoja e zgjidhjes së problemeve me Serbinë.
“Mendoj se vetë krijimi i rrethanave të reja dhe në Kosovë dhe në Serbi dhe në rajon, por edhe në botë – sepse bota ka ndryshuar, Evropa po ndryshon, rajoni ynë është në udhëkryq – shtojnë domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”.
Ai tha se Kosova duhet “ta heqë qafe njëherë e për jithmonë çështjen e Serbisë dhe të fokusohet në zhvillimin ekonomik, në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe të mos humbim kohë ne tash e tri dekada, vetëm me Serbinë, Serbinë, Serbinë”.
Presidenti Thaçi tha se përfundimi i përbashkët nga takimi me zotin Pompeo ishte se marrëveshja me Serbinë “do të sjellë edhe më tepër paqe dhe stabilitet, edhe në Kosovë, edhe në Serbi, edhe në tërë rajonin, që do të hapë perspektivë evropiane, të shpejtë, konkrete për dy vendet dhe popujt tanë”.
“Konfirmimi dhe mbështetja e plotë dhe e fuqishme e Sekretarit të Departamentit amerikan (të Shtetit) zotit Pompeo për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, pra të dialogut dhe negociatave dhe inkurajimi që kjo marrëveshje të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur, është edhe një impuls tjetër edhe për mua si President i vendit, për institucionet e Republikës së Kosovës, të gjitha pa dallim, për fuqizimin e rolit tonë të brendshëm, arritjen e një konsensusi sa më të gjerë politik dhe përmbylljen e këtij procesi me një rrugë shumë transparente, efikase, të implementueshme edhe në Kosovë”, tha zoti Thaçi.
Presidenti i Kosovës tha se pret hapa konkretë dhe lëvizje edhe më të shpejta në ditët dhe javët e ardhshme. /VOA