Forcat speciale të Policisë së Kosovës arrestuan 4 serbë në veri të Mitrovicës. Sipas Policisë së Kosovës, të arrestuarit dyshohen se janë përfshirë në vrasjen e ish-liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç.

Sipas radiotelevizionit shtetëror serb, mes të arrestuarve është edhe një serb, pjesëtar i forcave të policisë kosovare.

Gjatë operacionit janë dëgjuar edhe të shtëna armësh. Në Mitrovicën veriore të administruar nga serbët u ndezën në orët e para të mëngjesit sirenat e alarmit.

Një ditë më parë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se prania e forcave speciale kosovare në veri kishte lidhje me tensionet për taksën e lartë doganore të vendosura nga qeveria Haradinaj për mallrat serbe.