Profesionet e lira që kanë marrë licensë si persona fizikë, apo dhe biznese në këtë status, do të përfshihen në një skemë për mos shmangien e tatimit mbi të ardhurat personale.

Gjatë prezantimit të paketës fiskale në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se përmes statusit ‘person fizik’ shumë qytetarë kanë paguar më pak taksa nëse ata do ta ushtronin profesionin si të punësuar.

Këtu futen shërbimet që japin juristë, financiarë, mjekë, inxhinierë e me radhë me dhjetëra profesione, të cilat mund të marrin licencë për të dhënë shërbime. Po ashtu në paketën e re fiskale do të tatohen fitimet nga shitja jashtë vendit e aksioneve të kompanive që shfrytëzojnë pasuritë e Shqipërisë.

“Të ardhurat e fitimit që lidhen me pasuritë e vendit, tatimi të paguhet në Shqipëri si rasti Bankersit, që kur Bankersi u shit jashtë Shqipërisë, ajo nuk përfitoi asgjë nga shitja”, u shpreh Ahmetaj.

Po ashtu, vitin e ardhshëm aksionerët e bizneseve të mëdha nuk do të paguajnë më 15 për qind tatim mbi dividentin kur shpërndajnë fitimet, por vetëm 8 për qind.